A do të përsërisë Mogherini ç’ka thënë në Tiranë në 18 prill 2018?

Në 18 prill të vitit 2018, pra 70 ditë para se të bëhej në Luksemburg mbledhja e Këshillit Europian të Ministrave të Jashtëm të BE, Frederica Mogherini ishte në Tiranë për ti dhënë Ramës lajmin e “hapjes së negociatave”.

Mogherini në konferencën e përbashkët me Ramën, ndër të tjera ka thënë (https://kryeministria.al/en/neësroom/rekomandimi-i-ke-per-nisjen-e-negociatave-mogherini-shqiperia- ka-marre-ate-qe-meriton/):

1) “Urime, Urime… jam krenare që më mundësohet të sjell sot në Tiranë vendimin që Komisionin Europian ka marrë dje për të dhënë rekomandimin pozitiv për herë të parë në historinë e Shqipërisë që Këshilli Europian të hapë negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE…”

Por më poshtë Mogherini shton:

2) Më kujtohet vitin e kaluar kur ne (i drejtohet Ramës) ishim pranë njëri tjetrit, më duket se ishte mars i vitit 2017, dhe pastaj unë i thashë medias dhe qytetarëve të Shqipërisë, shumë qartë, se Komisioni Europian do të japë një rekomandim pozitiv për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE kur zbatimi i reformës së drejtësisë, dhe më veçanërisht vetingu do të fillonin. Ne jua bëmë këtë premtim dhe ju bëtë atë që ne ju kërkuam…”

Por ajo nuk ka harruar të shtojë:

3) Komisioni Europian bazuar në vlerësimin e bërë ka thënë qartësisht se Shqipëria i ka plotësuar të gjithë kushtet që ne i kemi vendosur një vit e gjysmë më parë(pra në vitin 2016). Pra, Shqipëria është gati të hapë negociatat, është e gatshme të realizojë dhe thellojë reformat që ka ndërmarrë…”

Nga këto fjalë të Mogherinit dukej se Këshilli Europian në mbledhjen e 26-28 qershorit 2018 nuk kishte asnjë mundësi tjetër veçse të hapte negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE…

Por kjo nuk ndodhi… Gjithçka është shtyrë për në dhjetor 2019, pra me 18 muaj…

Ka dy mundësi:

a) Ose gjithçka ka thënë Mogherini nuk ka bindur Francën, Hollandën e Danimarkën...sepse nga informacionet dhe vlerësimet që kanë këto vende situata nuk është ashtu siç e përshkruan Mogherini…

b) Ose Mogherinin e kanë gënjyer dhe mashtruar me informacionet që i kanë dërguar mbi realitetin shqiptar…dhe ajo nuk ka thënë të vërtetën…

E rëndësishme për shqiptarët është se nuk janë hapur negociatat dhe mbledhja e Këshillit Europian ku do të merret vendimi për hapjen ose jo të negociatave do të zhvillohet 18 muaj më vonë… Nuk e di se çfarë rekomandimi do ti jepte Këshillit Europian Mogherini pas 18 muajsh? As se çfarë vendimi do të merrte Këshillit Europian pas 18 muajve?

Një gjë është e vërtetë, vendimi i Këshillit Europian, pas 18 muajsh nuk do të bazohet vetëm në rekomandimin e Komisionit Europian dhe as fjalët e Mogherinit, por në vendimin e 28 parlamenteve të vëndeve të BE që do t’ju formulojnë qëndrimin 28 kryetarëve të shteteve për mbledhjen e Këshillit Europian ku ata do të marrin pjesë pas 18 muajsh…

Nuk dihet se si ndjehet Mogherini nga kjo “shuplakë” që i ka dhënë Këshilli Europian dhe se cfarë qëndrimi do të mbante ajo pas 18 muajsh, nëse do të vazhdonte të ishte në pozicionin që ka aktualisht?

Syri.net/ 30 qershor 2018