Miratohet projekti edhe 4.6 milionë USD për aksin, Tiranë – Elbasan me një tjetër tunel

Në rrugën Tiranë – Elbasan, do të ndërtohet një tjetër tunel. Këshilli Teknik në Autoritetin Rrugor Shqiptar ka miratuar projektin e ndërhyrjes në rrëshqitjen e ndodhur vjeshtën e vitit të shkuar në Mamel, në korsinë që lidh Elbasanin me Tiranën. Studimi gjeologjik në këtë zonë konstatoi se rrëshqitja ishte serioze dhe se pastrimi i gurëve të rënë rrezikonte të shkaktonte rrëshqitjen e të gjithë shpatit të malit.

Tuneli do të jetë i ngjashëm me zgjidhjen e dhënë në rrugën Lin – Pogradec dhe do të kushtojë 4.6 milionë dollarë.

Mësohet se në Këshillin Teknik u paraqitën dy zgjidhje, njëra për ndërhyrjen në shpat dhe tjetra ishte ndërtimi i një tuneli të hapur dhe të shkurtër vetëm në njërën anë të korsisë. Projekti i zbatimit është në fazën e mbylljes dhe pas disa ditësh do të hapet tenderi për të kontraktuar kompaninë që do të zbatojë projektin.

Pas 7 vjetësh rruga Tiranë – Elbasan parashikohet që të mbarojë këtë vit. Në total vepra i ka kushtuar buxhetit të shtetit 450 milion USD.