Shfaqet Maradona, sqaron për gjendjen e tij shëndetësore

Plot 90 minuta intensive, të përjetuara si protagonist në tribunën VIP. Një spektakël i vërtetë ai i dhuruar nga Diego Armando Maradona në triumfin dramatik të Argjentinës përballë Nigerisë.

Në fillim festa e papërmbajtshme për golin e avantazhit të Leo Messit, më pas tensioni për një ndeshje që u komplikua dhe në fund gjesti që shkaktoi polemika në golin e Rojo-s dhe problemet shëndetësore gjatë sfidës shumë të vuajtur, ku u nevojit edhe ndërhyrja e mjekëve.

Pas asaj mbrëmje të çmendur, “Pibe de Oro” iu rikthye normalitetit, duke u shfaqur në programin “La Mano del Diez”, (Dora e Dhjetës) në televizionin Telesur, ku i siguroi të gjithë se është mirë.

“Dua ti bëj të ditur të gjithëve se jam më i gjallë se kurrë”, këto ishin fjalët e Diego Armando Maradonës, që gjithashtu sulmoi të gjithë ata që shpërndanë lajme të rremë për shëndetin e tij.

“Folën për barela dhe ambulanca. Në internet qarkulluan gënjeshtra të pakuptimta. E kuptoj zilinë, por është e papranueshme të thuhen gënjeshtra”, deklaroi legjenda argjentinase.