VIDEO/ Ekstradohet shqiptari, ishte në kërkim për 20 milionë euro kokaine

Guardia di Finanza e Trentos ka arrestuar një trafikant droge shqiptar, 44 vjeç, i cili ishte ndaluar edhe më para dy vjetësh, gjatë një operacioni në janar 2016, teksa udhëtonte si pasagjer në makinë me një tjetër shqiptar, në kufirin me Austrinë.

Në makinë u gjetën 93 kile kokainë, me destinacion Trenton e Bolzanon, me vlerë tregu mbi 20 milionë euro. Por, ndryshe nga drejtuesi i mjetit, pasagjeri u la i lirë në gjykatën e Bolzanos në shkurt 2016, pasi avokati i tij arriti të bindte gjyqtarin që klienti i tij nuk kishte dijeni për drogën në makinë, duke qenë thjesht pasagjer.

Megjithatë, Guardia di Finanza e Trentos vazhdoi të hetonte, duke mbledhur prova të mjaftueshme për ta çuar çështjen kundër lirimit në gjykatën e lartë. Kjo e fundit i dha të drejtë Guardias dhe nxori një urdhri arresti me burg për shqiptarin, i cili kishte shkuar në Belgjikë që ditën e lirimit.

Në bashkëpunim me policinë, është gjetur vendbanimi i tij, në Anversë, ku jetonte me gruan e dy fëmijët. Pas ndalimit nga policia belge, shqiptari tani është ekstraduar në Itali.