Cilët janë artistët që duan shembjen e Teatrit – A do e përgënjeshtrojë njeri?!

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, serviri ditën e djeshme një listë me 65 artistë, që sipas tij kanë hedhur firmat e tyre duke rënë dakord me shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e një godine të re.

Ndër artistët që kanë bërë marrëveshjen me Veliajn përmendim Kastriot Çaushin, Hervin Çulin, Zamira Kitën, Erion Isain, Pëllumb Kullën, Laert Vasilin e të tjerë.

Letra i dërgohet presidentit të Republikës Ilir Meta, kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi, ministres së Kulturës Mirela Kumbaro dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.

“Ne artistët nënshkrues të kësaj deklarate, të vëmendshëm dhe të ndjeshëm ndaj debatit aktual rreth vendimmarrjes për godinën e Teatrit Kombëtar, gjithashtu të vetëdijshëm se kjo vendimmarrje do të ketë ndikim shumë të rëndësishëm në jetën kulturore dhe shpirtërore të publikut, dëshirojmë t’i bëjmë me dije të gjithë opinionit publik se:
Shprehim dakordësinë tonë dhe nevojën urgjente për një godinë të re të Teatrit Kombëtar, një godinë e cila t’u shërbejë artistëve dhe mbi të gjitha publikut, i cili edhe pse në kushte tërësisht të papërshtatshme, për asnjë moment nuk e ka braktisur skenën e teatrit.”, thuhet në letrën e bërë publike tashmë.

Mirëpo sot, Pavlina dhe Pirro Mani e kanë mohuar vendosjen e firmës në këtë dokument duke deklaruar “Ne nuk jemi për prishjen e Teatrit Kombëtar. Ne jemi për teatër, të ekzistojë teatri” Hashtag.al