Vendim-pushkatimi i ‘esadistëve’ të Luksemburgut, për Edi Ramën!

Ditën e djeshme, Edi Rama, mblodhi bashkëfajtorët e tij në qeverisjen katastrofike dhe ndërtimin e një shteti të kontrolluar nga krimi i organizuar në ndërthurje me atë ekonomik dhe mbajti një fjalim të gjatë, për të bërë të zezën, të bardhë. Shtyrja edhe një vit nga Këshilli  Europian për të diskutuar, “do të hapen apo jo negociatat, për anëtarësim”, u shit si një fitore e madhe.

E gjithë retorika e një kryeministri, që shtiret sikur është një i sëmurë psikik bipolar (që jeton në dy realitete), por në fakt është thjesht i lig dhe i kapur kokë e këmbë nga struktura të rrezikshme të mafies së drogës dhe biznesit, u përqendrua në gjetjen e armiqve të brendshëm, të cilët ai pa ju dridhur qerpiku, i etiketon armiq të Shqipërisë dhe ju vë vulën e turpit; “esadistët e rinj”.

Bëhet fjalë për opozitën dhe atë pjesë të medias, e cila ka vendosur gishtin në plagët e tmerrshme, që ai me Rilindjen e tij, i ka hapur me shpejtësi brenda pak viteve në mënyrë dramatike vendit; Qeveria shqiptare kontrollohet nga krimi i organizuar, mafia e drogës dhe korrupsioni është kthyer në një skemë gjigante, e cila po shteron dhe shkatërron financat e vendit. Ka edhe të tjera; emigracion biblik si pasojë e papunësisë dhe varfërisë, grabitje me “ligj” dhe VKM-ra e pasurisë publike, keqmenaxhim i mbetjeve në favor të skemës korruptive të inceneratorëve, sabotim i Reformës në Drejtësi dhe asaj Zgjedhore…

Në fjalën e tij, Edi Rama, i akuzoi këta “esadistë të rinj”, se nuk e kanë lexuar fare vendimin, për Shqipërinë, i cili sipas tij është fund e krye vlerësim për qeverinë e tij.

Plumbat që Këshilli lëshoi në ballë të qeverisë Rama, nuk ka prazmore të farkëtuar në kovaçanën e Endri Fugës, që i kthen mbrapsht; ata nuk janë virtual si “sukseset” e Edi Ramës, në ERTV, por koncentrim i analizave, të dala nga zyrat e të gjithë vendeve anëtare dhe veçanërisht nga shërbimet e tyre inteligjente.

Le të hapim këtë vendim dhe të citojmë, disa nga kushtet kryesore, që BE i ka vënë qeverisë së tij. Në fakt ato janë mënyra se si duhet lexuar realiteti në Shqipëri, i skanuar këtë herë jo nga “esadistët e Tiranës”, por nga ata të Luksemburgut.

“Shqipëria ka nevojë të intesifikojë përpjekjet e saj në të gjitha këto fusha dhe të sigurojë rezultate të mëtejshme të prekshme, në luftën kundër korrupsioni në nivele të larta, si dhe në shkatërrimin e rrjeteve të krimit të organizuar”, është një nga “breshëritë e plumbave”, që u lëshua nga Këshilli në drejtim të qeverisë Rama dhe jo të popullit të Shqipërisë.

Nga ky pasazh mësojmë, se tashmë BE në mënyrë të unifikuar dhe zyrtare është e alarmuar, për nivelin ku ka arritur krimi i organizuar dhe dhe korrupsioni qeveritar. Për këtë të fundit, në BE tashmë janë të qartë se qeveria Rama është shndërruar në një çerdhe grabitqarësh të pasurive dhe financave të shqiptarëve. Prandaj ata e kanë vënë Ramën përpara një misioni të pamundur për atë vetë, sepse është njësoj si ti kërkosh mafiozit dhe hajdutit, që të kapë dhe të çojë përpara drejtësisë klanin dhe çetën e vetë.

“Hetime proaktive, ndjekje penale dhe dënime në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsioni, në të gjitha nivelet, mbetet një objektiv afatgjatë thelbësor që vazhdon të kërkojë përpjekje të tjera të vazhdueshme dhe të strukturuara”, citojmë vendimin që “esadistët e rinj”, nuk e paskan lexuar.

Por  në draft deklaratën e Këshillit Europian, qeverisë dhe jo popullit shqiptarë, përveç kushtit për nisjen e luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar, trafikimit dhe kultivimit të drogës; mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe zbatimit të ligjit të pronës, “miku im Macron që më adhuron atletet ADIDAS”, ka shtuar edhe plagën e rëndë të hapur nën qeverisjen e tij, të cilën Rama se ka pranuar kurrë; Emigracioni masiv i shqiptarëve, drejt vendeve të BE-së.

“Këshilli i jep rëndësi të veçantë vazhdimit të përpjekjeve në uljen e numrit të azil kërkuesve të pabazë dhe gjithashtu i kërkon Komisionit të sigurojë se kjo do të merret parasysh në raport”, shkruhet tekstualisht në vendim.

Pastaj “esadistët e Luksemburgut”, vazhdojnë me plot “vlerësime” të tjera për qeverinë e Ramës, si; bllokimi i Reformës në Drejtësi dhe  asaj Zgjedhore; menaxhimi i mbetjeve të cilin e ka transformuar në të kundërtën e asaj që kërkon BE, duke ngritur skemën korruptive dhe helmuese për shëndetin e shqiptarëve, atë të inceneratorëve; për mungesën e lirisë në biznes, investimeve, të drejtën e pronës, sistemin dhe administratën fiskale etj, etj!

Të gjitha këto dhe shumë të tjera që nuk po i përmendim, janë të shkruara dhe të firmosura nga krerët më të lartë BE në unison dhe jo nga “esadistët e rinj” të opozitës dhe medias, që ende nuk e ka kapur. Prazmoret dhe pasqyrat mashtruese që prodhohen në punishten e dalë boje të Fugës, nuk i bëjnë më derman. As kur shtiret si i sëmurë psikik bipolar, kur tashmë e ka të shkruar në ballë, se është thjesht nja hajdut i lig, tradhtar i ardhmërisë së Shqipërisë europiane dhe bashkëpunëtor i krimit të organizuar, që po rrënon Shqipërinë!

Themi i lig dhe tradhtar (si hajdut është bërë i pakonkurrueshëm, edhe me satrapët e Afrikës dhe Azisë), sepse me këtë qëndrim recitivist mohues dhe jo reflektues ndaj gjendjes ku është katandisur vendi, e ka tejkaluar Estat Pashë Toptanin, qindra herë. Krimin e organizuar në polici, dogana e në çdo strukturë të shtetit deri në parlament, oligarkët e dyshimtë të maskuar si biznesmen që po thithin si vrimë e zezë çdo pasuri dhe financat e këtij vendi, vërtet nuk i shpiku ai, por i lulëzoi duke i kthyer në “shtet”.   

Thellë-thellë Edi Rama ka “të drejtë”, kur thotë që opozita nuk e ka lexuar fare, vendimi e Këshillit. Ai në fakt që nga Luksemburgu ka rrëzuar Edi Ramën, me gjithë çetën e tij.

 Çështja është kush dhe sa të aftë janë ta lexojnë këtë vendim-pushkatim, këtu në Tiranë!