FOTO/ UNDP dhe BE bëjnë me kopsht të ri fëmijët romë të Beratit

UNDP dhe Bashkimi Europian kanë investuar dhe rikonstruktuar në lagjen ‘Donika Kastrioti’ në Berat një çerdhe për 60 fëmijë, një pjesë e mirë e të cilëve i përkasin komunitetit rom dhe atij egjiptian.

Tani ata kanë mundësi të ndjekin arsimin parashkollor në kushte dinjitoze, pas rindërtimit të çerdhes numër 7.

Gjatë ceremonisë së përurimit të pranishëm ishin Brian J. Williams, Koordinator i Përhershëm i OKB-së në Shqipëri dhe Përfaqësues i Përhershëm i UNDP, Ogerta Manastirliu, ministre e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, Ditmir Bushati, ministër për Europën dhe Punët e Jashtme, Romana Vlahutin, Ambasadore e Delegacionit të BE-së në Shqipëri, deputetë përfaqësues të institucioneve vendore, prindër të fëmijëve.  

Koordinatori i Përhershëm i OKB-së në Shqipëri dhe Përfaqësues i Përhershëm i PNUD-it, Brian J. Williams përgëzoi vendimin e Këshillit Bashkiak të qytetit të Beratit për të lehtësuar familjet në nevojë nga tarifa e çerdheve.

‘Kjo çerdhe do të mirëpresë rreth 60 fëmijë nga të cilët rreth 20 fëmijë nga komuniteti rom dhe egjiptian. Këta fëmijë do të jenë më të përgatitur për arsimin parashkollor, gjë që është shumë e rëndësishme për shfrytëzimin e potencialeve njerëzore dhe një hap i madh drejt përfshirjes sociale të fëmijëve romë dhe egjiptianë në sistemin e arsimit’, tha Williams.

Ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, vlerësoi rikonstruksionin e kësaj qendre, duke thënë se ajo krijon mundësinë për një edukim dhe integrim më të mirë të fëmijë të komunitetit rom dhe egjiptian.

Investimi prej 12 milionë lekë në çerdhen numër 7 në Berat është pjesë e projektit “FESRE” të qeverisë shqiptare me financimin e Bashkimit Europian. Kritere të rëndësishme si numri i përfituesve, kosto e projektit, qëndrueshmëria, kostoja e mirëmbajtjes si dhe nevoja për këto shërbime shërbyen si logjikë udhëzuese për ndërhyrjen infrastrukturore.

Ky nuk është investimi i parë i Projektit “Fuqizimi ekonomik dhe social për romët dhe egjiptianët – shtysë për përfshirjen sociale”. Katër bashki janë pjesë e projektit, që ka për synim përfshirjen sociale të komunitetit rom dhe egjiptian. Rreth 1200 romë dhe egjiptianë jetojnë sot në kushte dinjitoze, falë ndërhyrjeve në infrastrukturë të mbështetura nga ky projekt në Tiranë, Berat, Durrës dhe Shkodër.