VIDEO/ Pika e postës e grabitur në Durrës, autorët shqyen qepenin dhe derën

Jane publikuar pamjet e para nga pika postare që u grabit herët mëngjesin e sotëm nga dy persona, në lagjen 18 pranë zonës së njohur si “te Dyli”.

Kastriot Koçobelli, specialist i sigurisë dhe cilësisë pranë postës shqiptare, bën me dije për “DL” se në këtë zyrë postare kanë qenë 3 kasaforta. Por kur mbyllet puna, punonjësit e postës si rregull nuk lënë shuma parash në zyrën postare, e si rrjedhojë kasafortat kanë qenë bosh.

Autorët e ngjarjes fillimisht kanë hapur qepenin me mjete të forta, kanë shqyer derën e brendshme, e pasi kanë hyrë brenda kanë bërë rrëmujë në kërkim të parave. Kanë prerë linjën e internetit dhe më pas janë larguar.

Kanë qenë kamerat e sigurisë që kanë filmuar autorët dhe në sajë të veprimeve të kryera, policia ka bërë të mundur ndalimin e dy personave të dyshuar.

Në informacionin paraprak te policisë thuhet se

Më datë 28.06.2018, rreth orës 04:15, në lagjen Nr.18 është vjedhur me thyerje Njësia e Postës.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar Efektivet e Policisë, të cilët po punojnë për zbardhjen  e ngjarjes.

Nga ana e uniformave blu janë shoqëruar dy shtetas si autorë të dyshuar.

Për shkak të veprimeve hetimore nuk mund të japin detaje për momentin.