Vendimi: Jo landfille aty ku ka impiante të trajtimit të mbetjeve

Depozitimi apo trajtimi i mbetjeve të ngurta në venddepozitimet eksiztues do të ndalohet në zonat e mbetjeve ku funksionon një impiant rajonal për trajtimin e mbetjeve.

Vendimi i fundit i qeverisë ka sjellë disa ndryshime në vendimin e vitit 2012 për “Lendfillet e mbetjeve”, një ndër të cilat është edhe ai i mësipërm.

Në vendim përcaktohet edhe detyrimi i operatorëve të landfille ekzistuese, edhe nëse nuk kanë leje mjedisi, për të përgatitur deri në datë 31 dhjetor 2018 një plan përmirësimi të venddepozitimit. Raporti do t’i dorëzohet për miratim Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, e cila nëse e miraton planin e përmirësimit, do ta dërgojë atë për shqyrtim në Komitetin Ndërministror për Mbetjet.

Ky i fundit do të vendosë për masat që duhen marrë dhe periudhën e nevojshme të tranzicionit për zbatimin e tyre.

I gjithë procesi i përmirësimit të venddepozitimeve të mbetjeve duhet të përfundojë brenda datës 31 dhjetor 2020.

Qeveria gjithashtu ka hequr detyrimin e operatorëve të venddepozitimeve ekzistues në plotësimin e kritereve të përcaktuar nga vendimi i vitit 2012, deri në datën 31 dhjetor 2030, duke e shtyrë kështu afatin me 10 vjet të tjera, shkruan scan.tv. Në mbledhjen e djeshme, qeveria ka miratuar edhe marrëveshjen e grantit prej 1.2 milionë eurosh nga KfW, për financimin e fazës së dytë të projektit të menaxhimit të mbetjeve të ngurta në Rajonin e Korçës.