Kosova i ndalon hyrjen Ministrit të Mbrojtjes së Serbisë

Në festimet e "Vidovdanit" nuk do të marrë pjesë Ministri i Mbrojtjes në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin.

Ministrit serb të Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, i është ndaluar të marrë pjesë sot në Gazimenstan për festën e Vidovdanit.

Lajmin për ndalimin e hyrjes së ministrit serb e ka konfirmuar për Kallxo.com, ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.

I pyetur në lidhje me zyrtarët serbë që kanë kërkuar leje të hyjnë në territorin e Kosovës për manifestimet e nesërme, Pacolli tha se vetëm ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, Aleksandar Vulin i është ndaluar hyrja.

Ministri Pacolli nuk ka dhënë përgjigje në lidhje me arsyen e refuzimit të kërkesës së Vulinit.

Pritet të mbahen manifestime për festën religjioze ortodokse – Vidovdanit.