Takimi Trump-Putin, në një vend të përshtatshëm për të dy

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia u pajtuan për datën dhe vendin e takimit të presidentëve Donald Trump dhe Vladimir Putin, tha një ndihmës i Kremlinit.

Duke folur pasi Putin takoi këshilltarin amerikan për siguri kombëtare, John Bolton, në Kremlin, Yury Ushakov tha se data dhe vendi do të shpallen të enjten.

Takimi - i pari i plotë midis dy presidentëve qëkurse Trump ka marrë detyrën në janar të vitit 2017 - do të mbahet në një vend të tretë që është i përshtatshëm për të dyja palët, tha Ushakov, sipas REL. Ai tha se nevojiten edhe disa javë për përgatitjet.

Në fillim të takimit me Boltonin, Putin tha se vizita e tij jep shpresë për përmirësimin e marrëdhënieve të tensionuara midis SHBA-së dhe Rusisë.