Miranda: Bashkë me Naingolan luftojmë për titull

Një ndër lojtarët më të dalluar gjatë sezonit të shkuar te Interi, ishte mbrojtësi brazilian Zhoao Miranda. Me paraqitjet e tij, ai arriti të kthehej në një lider në mbrojtjen zikaltër, duke qëndruar me Skriniarin si një mur.

Së fundmi, Interi ka afruar në skuadër një tjetër mbrojtës potent, si De Vraj dhe kjo gjë bëri që të nisnin zërat për një largim të mundshëm të brazilianit. Në fakt, Miranda i ka idetë e qarta, duke u shprehur se Interi do të jetë një skuadër për titull vitin tjetër.

“Më vjen mirë dhe jam i lumtur që Interi po bën transferime të tilla. Interi është një skuadër me histori dhe shpresoj që sezonin tjetër, të jemi skuadër kampione, pasi jemi në gjendje për të luftuar për titullin. Besoj dhe shpresoj që edhe Naingolan të jetë një ndihmë e madhe për këtë objektiv”, u shpreh Miranda.