FOTO/ Era Istrefi në ‘shtëpinë’ e presidentit Meta: ‘Mezi pres të tregoj veten në finale Botërorit’

Këngëtarja shqiptare, Era Istrefi ka ndjekur ndeshjen e sotme të Zvicrës me Kosta Rikën në Tiranë pranë presidentit Ilir Meta. Së bashku me ta ishte edhe Nora Istrefi me bashkëshortin Robert Berisha, por edhe kampioni i madh i boksit, Gjetan Keta.

Për herë të parë pas publikimit të himnit të Botërorit, ajo foli në një intervistë për Ora News, duke thënë se është e lumtur që është pjesë e FIFA për këtë vit dhe pret me padurim të performojë në natën finale me Will Smith dhe Nicky Jam. Gjithashtu shprehej e kënaqur për kualifikimin e Zvicrës në fazën tjetër, ndonëse ndeshja e sotme u mbyll me barazim.

Pjesë nga biseda

Era Istrefi: Më vjen mirë që e doni Live It Up dhe më vjen mirë që si shqiptare jam pjesë e FIFA World Cup 2018, një eveniment shumë i rrallë. Ndihem jashtëzakonisht mirë që ne si popull, ndoshta i vogël në numër kemi arritur të tregojmë që kemi shumë talenta në kulturë, në sport. Unë jap jetë dhe gjithçka kam dashur ndonjëherë është të jap emocione të forta përmes muzikës.

Po ndeshja e sotme, ngjalli emocione të forta te ju?

Era Istrefi: Pata kënaqësi të përjetoj këtë emocion të fortë, fitoren e Zvicrës në Presidencës e Republikës Shqipëri, me shkëlqesinë e tij zotin Ilir Meta.

Jeni e emocionuar për performancën që do keni atje?

Era Istrefi: Po, shumë e emocionuar. Shumë e lumtur dhe mezi po pres të tregoj dhe unë veten për finalen e Rusisë.