Primaret, fitojnë kandidatë të mbështetur nga Presidenti Trump

Në SHBA, disa kandidatë republikanë të mbështetur nga Presidenti Donald Trump arritën fitore në zgjedhjet brenda partisë të martën mbrëma, ndërkohë që mes demokratëve një kongresmen veteran i Nju Jorkut u mposht me një nga një politikane re me origjinë nga Amerika Latine.

Presidenti shprehu kënaqësi të veçantë për humbjen e kongresmenit demokrat Joe Crowley, një kritik i shpeshtë i zotit Trump, i cili ishte përmendur si një mundësi për t’i zenë vendin zonjës Nancy Pelosi si udhëheqëse e pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve.

Zoti Crowley, demokrati numër katër në Dhomën e Përfaqësuesve, u mund nga një tjetër kritike e zëshme e Presidentit Trump, 28 vjeçarja Alexandria Ocasio-Cortez, anëtare e Socialistëve Demokratë të Amerikës. Ajo fitoi megjithëse Crowley shpenzoi dhjetë herë më shumë në fushatë.

Presidenti Trump përshëndeti gjithashtu fitoren parazgjedhore për senatin në shtetin Utah të Mitt Romney-it, ish- kandidat republikan për president në vitin 2012, edhe pse në të kaluarën Romney nuk i ka kursyer kritikat ndaj zotit Trump.

Zgjedhjet politike brenda partive do të zhvillohen gjatë disa muajve, deri në zgjedhjet për Kongresin dhe ato për guvernatorë shtetesh që mbahen në nëntor, kur kandidatët fitues demokratë dhe republikanë të përballen kundër njëri-tjetrit. VoA