A do largohet nga Kombëtarja? Muller acarohet me gazetarët

Thomas Muller ishte pa diskutim një prej dështimeve më të mëdha të këtij Botërori.

I mbërritur në turne me 10 gola nga dy pjesëmarrjet e kaluara, sulmuesi i Bayernit nuk arriti të realizonte as edhe një gol në tri ndeshjet në grup, duke “kontribuar” në eliminimin e Gjermanisë që në fazën e grupeve, për herë të parë në historinë e saj.

Por Muller ka shfryrë dufin ndaj gazetarëve, pasi është pyetur nëse do të tërhiqet nga kombëtarja pas këtij dështimi.

“Jam 28 vjeç dhe nuk kam ndërmend të shpall tërheqjen time vetëm gjysmë ore pas eliminimit nga Kupa e Botës, nuk e kuptoj pse duhet ta bëni këtë pyetje?”, iu përgjigj ai gazetarëve.

Përgjigje e njëjtë, edhe pse pak më e qetë, kur u pyet për të ardhmen e Low: “E kuptoj pyetjen për trajnerin, por askush nga ne nuk do të marrë vendime tani”, tha Muller.