A po shkon Gjermania drejt zgjedhjeve të parakohëshme?

Në Gjermani vijon kriza brenda koalicionit të madh qeverisës. Partia Socialdemokrate nuk pranon të përjashtojë mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja. Ndërsa vazhdimin ose jo të koalicionit qeverisës do ta vendosin zhvillimet në samitin e BE-së.

Në vigjilje të samitit europian, shefat e koalicionit të madh gjerman janë takuar për të tentuar një ndërmjetësim. Ashtu siç parashikohej, nga mbledhja nuk është arritur asgjë. Dhe në këtë mënyrë qëndrimet janë të kundërta. Andrea Nahles, presidente e Partisë Social Demokratike SPD, nuk përjashton mundësinë e zgjedhjeve të reja në Gjermani. Volker Kauder, shef i grupit të Unionit Kristiandemokrat CDU, bën të ditur se nuk parashikohej asnjë marrëveshje nga mbledhja e liderëve të koalicionit. Megjithatë, edhe Kauder pranon që situata është shumë serioze.

Shefi i grupit të Unionit Kristiansocial, Alexander Dobrindt, ka rikujtuar se në takim është formuluar qartë se çfarë dëshirojnë palët. Edhe për ish-ministrin e Transportit, situata është shumë serioze. Kreu i Kristian-Socialistëve bavarezë CSU, Horst Seehofer, ka zbutur tonin, duke e quajtur “absurde” hipotezën se aleanca historike me partinë e Merkelit do të përfundojë. Por në thelb, Merkel dhe Seehofer mbeten në qëndrimet e tyre, shkruan abcneës.al

Ditët e së vërtetës për qeverinë “Merkel 4” janë e hëna dhe e marta, kur CDU dhe CSU do të takohen përsëri për të vlerësuar rezultatet e Këshillit Europian dhe do të trajtojë çështjen e refugjatëve. Pa një rezultat të kënaqshëm sidomos në “flukset dytësore”, ministri i Brendshëm Horst Seehofer ka kërcënuar t’i dërgojë refugjatët përsëri në kufi që nga fillimi i Korrikut.

Për kancelaren, kjo është një masë e papranueshme. Merkel beson se kushdo që kërkon azil në kufi ka të drejtën të shqyrtohet. Por kancelarja po përpiqet të arijë marrëveshje dypalëshe me Italinë apo Greqinë për refuzimet dhe po punon për një paketë propozimesh. Këto propozime mund të nënshkruhen nga një pjesë e vendeve të BE-së dhe pastaj mund të shtohen më shumë partnerë. Siç ka ndodhur, për shembull, me euron ose me marrëveshjen Shengen që Merkel po përpiqet në çdo mënyrë ta mbrojë.