Inatoset politikani: Para për Xhakën dhe Shaqirin?! Budallëk nga injorantë e të korruptuar

Politikani kosovar, nënkryetari i LDK, Lutfi Haziri, ka reaguar ndaj të gjithë atyre që po  japin para për të paguar dënimin që morën nga FIFA, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri.

Të gjithë këta që po tentojnë të mbledhin 25 mijë euro, si dënim për simbolin e shqiponjës nga futbollistët e Zvicrës, sipas Hazirit janë injorantë dhe të korruptuar.

Kryetari i Gjilanit thotë se futbollistët shqiptarë të kombëtares zvicerane të cilët mundën 2:1 Serbinë në kuadër të Kupës së Botës nuk kanë nevojë për para të ‘korrupsionit’.

“Po lexoj e dëgjoj një budallik të llojit të vetë, - shkruan Haziri në Fb. - Ministra e deputetë po kërkojnë nga qeveria të paguajë dënimin që u shqiptua për Shaqën e Xhakën.  A jeni në vete, bre? A po mendoni që jeni më të pasur se Federata e Futbollit Zviceran, se Konfederata e se lojtarët, apo?!

Një gjë dijeni: ata nuk marrin para të korruptuera. Ndoshta edhe keni harruar që ‘çdo dhuratë më shumë se 50 euro është korrupsion". Nejse, të korruptuarit nuk e lexojnë mirë këtë punë! “Edhe njiëpolitikan ia kishte kujtuar BE dhe SHBA që ish-ministri i Milosheviçit është bërë President i Serbisë. Po këtë e keni harruar që para se të bëhej President, ka qenë edhe Kryeministër. Marre është të manipulosh me "pagesa" dhe "memory". Fajtori dihet!" përfundon mesazhin e tij Haziri, shkruan Zeri.

FIFA dënoi me nga 10 mijë euro Granit Xhakën dhe Xherdan Shaqirin dhe me 5 mijë euro kapitenin helvetik Stephan Lichtsteiner, pasi edhe ai pasoi veprimin e shqiptarëve duke bërë më duar simbolin e shqiponjës, gjë e cila u quajt provokim nga ana e Serbisë.