Presidenti francez takim me Atin e Shenjtë në Vatikan

Ndërsa çështja e emigrantëve, vazhdon të mbajë ndezur tensionin politik mes Italisë dhe Francës, Presidenti francez Emmanuel Macron ka mbërritur sot në Romë ku ka zhvilluar një vizitë pune në Vatikan.

Ai është pritur nga Ati i Shenjtë Papa Françesku.

Në qendër të këtij takimi është problematika e fluksit emigrator në Europë dhe politikat e Bashkimit Europian mbi emigracionin.

Takimi mes Papa Françeskut e Macron zhvillohet pak orë pas zhvillimit të samitit informal mbi emigracionin i mbajtur së fundmi në Bruksel e pak orë para samitit të 28 vendeve anëtare të BE që pritet të mbahet më 28 qershor.

Mediat italiane dhe franceze theksojnë se takimi i sotëm në Vatikan është një takim mes dy burrave me karakter të fortë që nuk e njohin mirë njëri-tjetrin, por që mund të gjejnë dakortësi në shumë drejtime siç është politika emigruese, mbrojtja ndaj ambientit e klimës, ndihmat humanitare ndaj vendeve në zhvillim, paqja e politikat shumëpalëshe për arritjen e saj.

Vizita e Presidentit francez në Romë nuk ka të programuar në axhendë asnjë takim me përfaqësues të qeverisë italiane.

Gjatë vizites në Vatikan, Presidenti Emmanuel Macron, u shoqërua nga Ministri i Brendshëm Gérard Collomb, Ministri i Jashtëm Jean-Yves Le Drian dhe  nga bashkëshortja e tij Brigitte.