'Vlahutin, çirake e Ramës, e fshehu që Reforma në Drejtësi ka vdekur'

Nga Petrit Vasili.

Euralius dhe BE në Tiranë ishin ata që përgatiten në dhjetor 2017 raportin, pra alibinë për të zgjedhur Kryeprokuroren e Përkohshme edhe me vetëm 36 vota nga 84 që Kushtetuta kërkonte për t'ia bërë sa më të kollajshme, kapjen e drejtësisë nga Kryeministri, si çirakë të të cilit janë. Motivi ishte gjoja për të kaluar ngerçin dhe kjo do të zgjaste vetëm shumë pak muaj.

Aq sa Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Balla deklaronte: “Sipas ligjit u bë procedura, në kushtet që KLP nuk ishte krijuar. Në vlerësimin tim përzgjedhja e anëtarit të 11-të të KLP-së përfundon në shkurt. Në mars ngrihet KLP-ja. Kryeprokurori i ri me mandat 7-vjeçar në vlerësimin tim zgjidhet në fund të muajit mars-fillim të muajit Prill të vitit të ardhshëm”, deklaroi Balla.

Pra, gjoja në prill, mbyllej mandati i Arta Markut dhe më tej do të zgjidhej Prokurori i Përgjithshëm, edhe SPAK e BKH. Por Euralius dhe Vllahutin e dinin dhe e dinë shumë mirë të kundërtën, të cilën e fshehin me qëllim edhe sot e kësaj dite edhe në një raport të tyre në mars të 2018, ku e vërteta thuhet shumë qartë: "Ky proces mund të marrë muaj të tjerë dhe do të çojë në rezultatin që krijimi i Këshillave [KLGJ ose KLP] të bëhet vetëm në fund të vitit 2018 ose më vonë.”

Shpjegimi është i thjeshtë: Euralius dhe Vlahutin zgjodhën të jenë çirakë të Kryeministrit kundër Reformës në Drejtësi, zgjodhën të bekojnë "dekapitimin" e sistemit të drejtësisë, zgjodhën të lënë Shqipërinë pa institucione të drejtësisë për të betonuar pandëshkueshmërinë e korrupsionit dhe kriminalizimit të qeverisë.

Zgjodhën, të varrosin Reformën në Drejtësi, e cila sot është tërësisht jashtë Kushtetutës dhe ligjit e është kthyer në një dokument të pështirë e plot me arna antiligjore, të cilin asnjë shqiptar nuk e beson më.

Gjithçka është bërë me vetëdije të plotë nga BE në Tiranë.

Vlahutin ia ka fshehur shqiptarëve dhe Brukselit të vërtetën, duke deklaruar si impresionante, implementimin e Reformës në Drejtësi, kur në fakt e dinte shumë mirë që Reforma në Drejtësi ka vdekur."