Goli i Gjermanisë/ Kroos dhe Reus rrëfejnë bisedën mes tyre: Ja si vendosëm se kush do godiste

Momenti i madh i fatit të Gjermanisë. Minuta e 94:42, Marco Reus, Toni Kroos dhe topi që pak çaste më vonë përfundoi në rrjetë duke çmendur të gjithë tifozët gjermanë anembanë botës.

Duhej një fitore, pasi kampionët e botës ishin në buzë të greminës, dhe goditja e dënimit ishte mundësia e fundit për të mbajtur të hapur kualifikimin.

Ai që do të godiste, duhet të mendohej mirë. Kroos dhe Reus biseduan, u këshilluan. Krosim apo goditje në portë? Apo një miksim i të dyjave.

“E menduam mirë situatën. Gjatë ndeshjes, kroset tonë nuk funksiononin me suedezët,” shprehet Kroos.

“Më pas Marco donte ta godiste direkt në portë. Unë i thashë se nuk jam shumë i bindur nga kjo ide,” thotë Kroos duke qeshur.

“Nga ajo situata kanë dalë shumë gola,” ishin fjalët e Reus.

“Vendosëm të luanim me dy takime në mënyrë që ta poziciononim topin me një pamje më të mirë nga porta për goditjen”, vijon Kroos.

“Ai e goditi shumë mirë me teknikë,” përfundon Reus.