Rusi 2018, dy favoritët e grupit H në ndeshjen për të qëndruar apo ikur, “të vegjlit” kërkojnë kualifikimin

Nuk e kishte menduar asnjë prej dy pretendentëve të Grupit H se në sfidën direkte do të vinin nga dy humbje surprizë në debutim. Polonia dhe Kolumbia nuk do ta donin kurrë situatën me të cilën përballen në Kazan Arena: domosdoshmëri fitore për të dyja skuadrat nëse mendojnë se duhet të shkojnë më tej në Rusi 2018.

Nawalka rinis nga Lewandowski…

Polonia e Adam Nawalkas kishte zhgënjimin më të madh, njeriun e saj më të rëndësishëm. Robert Lewandowski ishte hije i vetvetes, Milik luajti një ndeshje të tmerrshme, por Nawalka nuk ka zëvendësues më të mirë se sulmuesi i Napolit, që me shumë mundësi duhet të formojë sërish repartin me Lewandowskin.

Blaszczykowski jashtë, të tjerët janë të paralajmëruar…

Polakët nuk treguan asgjë përballë Senegalit nga ajo formë që i udhëhoqi drejt 8 fitoreve në 10 ndeshje gjatë kualifikueseve. Edhe transformimi taktik në lojë e sipër nga 4-4-1-1 në 3-5-2 nuk ndryshoi ritmin e një skuadre që dukej e lodhur ende pa nisur ndeshja. Ai që mund të vuajë pasojat e një loje zhgënjyese, në ndeshjen e 100 me kombëtaren, është Jakub Blaszczykowski. Tekniku duket megjithatë i orientuar drejt një mesfushe me 5: treshja e qendrës nuk ndryshon, ndërsa krahë do të mbulohen nga Piszczek e Rybus.

Rodriguez shpresa e madhe e Pekerman…

Kolumbia pati një makth startin e Kupës së Botës kur Carlos Sanchez mori kartonin e kuq dhe Japonia mori avantazhin në vetëm tre minuta lojë. Amerikanolatinët duhet të marrin veten tashmë nga kjo traumë dhe tekniku, Pekerman, shpreson ta bëjë me rikuperimin e James Rodriguez. Fantazisti i Bayern e nisi ndeshjen e parë nga pankina, por provën fizike e kaloi dhe do të zbresë nga minuta e parë në fushë për të formuar treshen me Muriel e Cuadrado në mbështetje të sulmuesit Radamel Falcao. Pas provës së mirë kundër aziatikëve Quintero vetëm do të spostohet në rolin e mesfushorit mbrojtës.

Kolumbia gëzon fitoren e vetme në histori…

Vetëm një herë janë ndeshur së bashku këto dy formacione, në miqësoren e luajtur në Slaski ku kolumbianët fituan 1-2. Por në kushtet ku ndodhen ato, që ishin kuotuar si favoritët e grupit, nuk ka asnjë rëndësi: nuk ka vend për gabime në Kazan Arena.

“Të vegjlit” kërkojnë kualifikimin

Sfidë e papritur në krye të grupit H për Japoninë e Senegalin. Të dy skuadrat kanë fituar në debutim, edhe pse ishin jo favorite, me rezultatin 2-1 respektivisht kundër Kolumbisë e Polonisë. Në lojë, tani, tre pikë shumë të rëndësishme që mund të blindojnë kalimin e grupit.

Takim me historinë për Japoninë e Senegalin…

Për Japoninë, në pjesëmarrjen e 6 radhazi në një Botëror, mund të jetë kalimi i tretë i raundit në histori, pas atyre në 2002 e 2010. Senegali ndërkohë është në ndjekje të kalimit të dytë të fazës së grupeve në dy pjesëmarrje totale në një Botëror, pas atij në 2002 ku afrikanët arritën deri në cerekfinale.

Asnjë precedent mes dy kombëtareve…

Asnjë përplasje në histori në Botëror për Senegalin kundër skuadrave aziatike, ndërsa Japonia në sfidat me skuadra afrikane ka marrë dy fitore (kundër Tunizisë në 2002 e Kamerunit në 2010) e një humbje (kundër Bregut të Fildishtë në 2014).