Rama flet për refugjatët, mohon 600 mijë, por jo kërkesën e bërë nga ai

Kryeministri Edi Rama ka folur sot për kampin e refugjatëve në Shqipëri, gjatë një ceremonie të zhvilluar në sheshin Skënderbej, me rastin e dhënies së një trofeu europian këtij  sheshi. Ai e ka mohuar fare shkurt ngritjen e një kampi për 600 mijë refugjatë në vendin tonë dhe e ndërfuti këtë temë në fjalimin e tij për sheshin Skënderbej, pikërisht aty ku po sulmonte opozitën. 

Duke hequr një paralele, Rama tha se siç ishte lajm i rremë, deklarata e kundërshtarëve të tij se Skënderbej "nuk do të ishte asgjë tjetër përveçse një zonë aktivitetesh ekonomike të atyre që do të përfitonin nga pushteti për të ndërtuar një pazar", ashtu ishte, lajm i rremë, edhe lajmi për kampin e madh të refugjatëve që do të mbledhë refugjatët nga e gjithë bota këtu në Shqipëri... Frazën e fundit, Rama e tha me ironi, por nuk shtoi asgjë më shumë lidhur me këtë çështje, për të cilat kambanat kanë nisur të bien fort.

NGA FJALA E KRYEMINISTRIT SOT: 

Besoj që është legjitime që sot ne ta kremtojmë këtë trofe të rëndësishëm dhe besoj krejt të veçantë për Tiranën dhe Shqipërinë, së bashku me ëprfaqësuesit e të gjithë atyre që kontribuan ëpr t’ia dalë kësaj sfide jashtëzakonisht të vështirë. Sëbashku me ekipin e arkitektëve, skuadrën realizuese, përfaqësues edhe të punëtorëve të thjeshtë të të gjithë kantierit të madh të sheshit Skënderbej dhe të gjithë ata që besuan në këtë projekt, deri sot ku siç u nis dhe u bitis, realizimi i një vizioni transformues për Tiranën dhe për Shqipërinë.

Fjala e parë është falemnderit për ata që besuan dhe punuan për ta bërë të mundur atë që në një moment të caktuar u duk i pamundur për shkak se ky shesh, i cili për shumë e shumë dekada të historisë së vet ka qënë një shesh betejash politike, u kthye dhe në një arenën e një përplasjeje të madhe politike që të gjithë e mbajnë mend mirë dhe solli koston e disa viteve të humbura pa llogaritur këtu edhe humbjet e panevojshme  financiare për ta zhdukur dhe mbuluar me atë tamponin jeshil të një faze dramatike për Tiranën, që për fat të mirë tani i takon së shkuarës.

Mbi këtë projekt dhe historinë e këtij projekti mund të bëhët një libër i tërë dhe do të kisha shumë dëshirë që nëse koha do të ma lejonte, ta shkruaja këtë libër. Por sidoqoftë jo vetëm unë po dhe të tjerë mund ta bëjnë librin e historisë së rindërtimit të sheshit Skënderbej, të një rilindjeje të mirëfilltë urbane të sheshit Skënderbej.

Dhe një nga frazat që me siguri do të zinte vendin e vet në libër ishte një frazë e përsëritur shumë gjatë nga kundërshtarët e betuar të kësaj ndërmarrjeje transformuese, sipas të cilëve projekti ishte një projekt kriminal, i bazuar tek ethet e një fitimi marramendës, për shkak se sheshi nuk do të ishte asgjë tjetër vetëm një zone aktivitetesh ekonomike të atyre që do të ëprfitonin nga pushteti për të ndërtuar nga sheshi, një pazar! Ka qënë një nga mijërat lajmet e rreme që e bënë Shqipërinë, djep të Fake News, para se Fake News” të shfaqej si epidemi  botërore.

 Ka qënë një lajm i rremë, njesoj siç është sot një lajm i rremë -  lajmi për kampin e madh të refugjatëve që do të mbledhe refugjatët nga e gjithë bota këtu në Shqipëri apo të tjera lajme të rreme që i dëgjojmë të përhapen dita-ditës. Është një betejë shumë e vështirë beteja me lajmet e rreme, por koha i vë në vend," tha Rama.