VIDEO/ Minat me telekomandë, publikohen momentet e arrestimit të 40-vjeçarit në Ishull Lezhë

Policia e Shtetit ka publikuar pamjet e arrestimit të transportuesit me 6 mina me telekomandë në bagazhin e makinës. Eduard Sinanaj, 40-vjeçari me banim në Tiranë,  u kap në befasi në mjetin e tij në kuadrin e operacionit "Udhëtimi". Minat ishin fshehur brenda një rrote karroce, siç shihet nga video dhe fotot e publikuara.

Policia e Shtetit njoftoi se më datë 23.06.2018, Sektori për hetimin e krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, kreu operacionin e koduar " Udhëtimi " duke goditur një tjetër rast të tentativës për tregtim të minave me telekomandë.

Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë Eduard Sinanaj, 40 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale " Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit".

Në aksin rrugor Milot - Lezhë, në vendin e quajtur Ishull Lezhë, u kap me automjetin e tij tip Peugeot që po drejtonte, pasi në bagazh, në një rrotë karroce, kishte fshehur 6 mina me telekomandë të cilat u sekuestruan në cilësinë e proves materiale sëbashku me automjetin.

Vepra penale në ngarkim të tij "Trafikim i armëve dhe municioneve" parashikuar nga neni 278/a i Kodit Penal.

Materialet proçeduriale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprime të mëtejshme.