Rrezik përleshjesh shqiptarë me serbë, Policia zvicerane në gatishmëri gjatë ndeshjes me Serbinë

Kur Zvicra do luajë sonte, të premten, kundër Serbisë në kuadër të Kupës së Botës, mund të krijohen tensione mes serbëve dhe shqiptarëve. Policia është e vëtëdijshme për përballjen, shkruan media zvicerane “Aargauer Zeitung”, duke treguar edhe komentet fyese të tifozëve serbë pas publikimit të fotos nga Xherdan Shaqiri me atletet që kishin flamurin e Zvicrës dhe Kosovë, përcjell albinfo.ch.

“Ne kemi kryer analiza të rrezikshmërisë dhe jemi në gatishmëri,” tha zëdhënësi i policisë, Roland Pfister.

Përleshjet mes shqiptarëve dhe serbëve nuk janë histori e panjohur për shumë vende perëndimore. Gjatë përballjes mes Shqipërisë dhe Serbisë në Beograd në 2015, u raportuan një sërë incidentesh në disa qytete zvicerane.