Humor anglez/ Nuk dëmtohen lojtarët, por e pëson trajneri Southgate

Dëmtimi i futbollistëve është diçka normale, për shkak të aktivitetit të shtuar fizik të tyre, por tek Anglia ka ndodhur diçka e çuditshme.

Trajneri i “Tre Luanëve”, Gareth Southgate, është paraqitur në analizën me skuadrën me shpatullën e fashuar, për shkak të një dëmtimi që kishte pësuar, teksa bënte vrap.

“Mjekët më kanë këshilluar të kem kujdes dhe të mos festoj në mënyrë të shfrenuar për golat e skuadrës. Më vjen keq që u dëmtova, por nga ana tjetër, më mirë të dëmtohem unë, sesa lojtarët” , tha duke qeshur Southgate.

Anglia debutoi në ndeshjen me Tunizinë, ku fitoi 2-1 mes vështirësish, falë një dopjete të kapitenit Harry Kane, ndërsa të dielën do të përballet me Panamanë.