Brazili u ankua për VAR-in, merr nga FIFA përgjigjen që nuk e priste

Në ndeshjen mes Brazilit dhe Zvicrës të mbyllur në barazim 1-1, u regjistruan disa momente të dyshimta për të cilat u duk sikur sistemi VAR nuk ndërhyri siç edhe e parashikon rregullorja, duke përfshirë këtu edhe golin e barazimit të Kombëtares “helvetike”.

Kjo detyroi Federatën Braziliane që t’i niste një ankesë zyrtare FIFA-s në lidhje me këtë dhe madje t’i kërkonte edhe një kopje të korrespodencës mes arbitrave të VAR-it dhe kryesorit të ndeshjes.

Organizmi botëror i futbollit i ka kthyer një përgjigje zyrtare Kombëtares “seleçao”, duke theksuar se sistemi VAR është aktivizuar sipas rregullores në çdo moment të dyshimtë, por për këtë nuk është e domosdoshme të ndërpritet ndeshja pasi kjo ndodh vetëm në momente kur marrja e një vendimi kërkon më shumë kohë.

Ndërkohë në lidhje me kërkesën e asaj çfarë kanë biseduar arbitrat me njëri-tjetrin, FIFA u përgjigj se diçka e tillë përbën shkelje të privatësisë së “bilbilave” e për pasojë nuk mund të pranohet.