‘Idetë gjeniale’ Majko vs Rama/ Një histori personale me Nanon e Berluskonin

Në 2003 isha drejtor i KESH. Në gusht të atij viti, mbaj mend që erdhi Berluskoni në Shqipëri. Midis të tjerash foli me kryeministrin e kohës Z. Nano për një bashkëpunim midis ENEL dhe KESH. 

Si çdo ide gjeniale, dhe kjo ide e kishte zanafillën te z.Pandeli Majko. Biles mbaj mend që momenti i parë i bashkëpunimit ishte një blerje (sasi e vogël energjie) me çmim diku mbi 5 herë atë të tregut.

Në takimin midis Berluskonit dhe Nanos pata fatin të ulem pesë minuta. Më thanë që donin që ENEL dhe KESH të bashkëpunonin nëse ka hapësirë për bashkëpunim. Ishte e premte në darkë. Të hënën isha në zyrën e ENELIT në takim me drejtorin e përgjithshëm. Pas 30 minutash takim ishte e qartë që nuk kishte hapësira bashkëpunimi. Unë njoftova Nanon, zotëria e ENEL lajmëroi Berluskonin dhe ideja vdiq aty.

Me shume trishtim mu kujtua kjo histori kur dëgjova drejtorin e përgjithshëm të Turkish Airlines që deklaronte se u kish dhënë detyrë Erdogani dhe Rama të ndërtonin një linjë ajrore Air Albania.  Sigurisht që zotëria e di që biznesi nuk bëhet me urdhra por ai thjesht ruan karrigen e tij të punës. Trishtimi im vinte nga fakti se sot, 15 vite më vonë jo vetëm që Shqipëria nuk ka ecur përpara, por përkundrazi!