Të paguash për t’u mashtruar

Edi Rama do të mbahet mend në historinë e Shqipërisë si shtetari më mizor dhe më antipopullor për shumë bëma, por mbi të gjitha si taksidar dhe abuzues i pamëshirshëm i popullit të varfër.

Nga njëra anë vendos taksa pa fund, kurse nga ana tjetër paratë që mbledh i grabit për të blerë e kontrolluar pushtet, për të pasuruar veten dhe një grusht njerëzish të oborrit të tij. Së fundmi qeveria po përgatit një projektligj, i cili do të bëjë që të gjitha familjet e Shqipërisë të paguajnë para për një pjesë televizionesh.

Bëhet fjalë për taksën që paguan çdo familje për Televizionin Publik Shqiptar, e cila sot shkon, rreth 10 milionë euro në vit. Sipas këtij projektligji, përveçse do të rritet edhe më shumë kjo taksë, gjysma e të ardhurave do t’u dhurohet disa televizioneve private.

Partia “Zgjidhja” është mjaft e shqetësuar për këtë zhvillim të paprecedentë për vendet demokratike. Kjo nismë shkallmon edhe më keq tregun mediatik, i cili ka prekur fundin, ul edhe atë pak transparencë që ka mbetur dhe e bën Rilindjen kontrolluese absolute edhe të ekraneve kryesore private të Shqipërisë të cilat, punojnë mbi një pasuri publike siç janë frekuencat.

Nuk mjaftohet që me paratë e taksapaguesve po vjedh në mënyrën më barbare buxhetin e shtetit nëpërmjet koncesioneve dhe skemës famëkeqe, Partneritet Publik-Privat, por tani kërkon që shqiptarët të detyrohen me ligj që të paguajnë nga xhepat e tyre edhe për të forcuar kontrollin e qeverisë mbi televizionet private!

Pak ditë më parë edhe zyra e OSBE në Vienë, përmes Përfaqësuesit për Lirinë e Mediave, Harlem Desir, reagoi ashpër për këtë plan të ri të qeverisë për të rritur taksën e aparatit dixhital me qëllim që nga të ardhurat e mbledhura nga kjo taksë, të përfitojnë disa televizione private.

‘Çdo sistem i subvencioneve shtetërore për mediat duhet t’i nënshtrohet konsultimit me publikun përfshirë edhe me të gjithë aktorët e medias. Ai duhet të ketë objektiva të qarta dhe të plota për të mbështetur të gjitha mediat, përfshirë median online, median e shtypur dhe atë lokale, me kritere dhe procedura transparente, pa ndërhyrje politike dhe me qëllimin për të forcuar pluralizmin e mediave’, deklaroi prerë ai.

Ky projejktligj, jo vetëm nuk e ndihmon situatën e rënduar në median shqiptare, por përkundrazi e përkeqëson më shumë. Të vetmen shpresë mbijetese, kjo elitë e korruptuar dhe e diskredituar politike, e ka te manipulimi dhe shpëlarja e trurit të shqiptarëve nëpërmjet propagandës.

‘Zgjidhja’ është e vetmja forcë politike në Shqipëri, e cila ka në programin e saj si prioritet, ndërhyrjen urgjente në legjislacionin shqiptar për rregullimin përfundimtar të tregut mediatik, barazinë e konkurencës, pluralizmin, diversitetin, pavarësinë dhe lirinë, mirëfunksionimin dhe reformimin e ‘pushtetit të katërt’ për ta çliruar atë nga kontrolli i politikës së vjetër, nga presioni dhe shantazhi i qeverisë.

Sot mediat shantazhohen, luftohen, goditen, blihen me tendera e licenca, me para e me prona publike, me lëshime e pabarazi ndaj ligjit. Ato shpeshherë i trajtojnë gazetarët si skllevër, i sigurojnë me pagë minimale, ndërsa në shumicë, sidomos portalet online, i mbajnë tërësisht në të zezë. Standardet profesionale janë mjerane dhe rreshtimi i tyre gjithnjë e më shumë është në anën e pushtetit, gënjeshtrës dhe mashtrimit!

ZGJIDHJA do t’i ndihmojë në të gjitha format e ligjshme dhe të drejta mediat, që ato të përmbushin funksionet e tyre kushtetuese duke qenë të lira, të pavarura dhe të patrazuara në konkurrencën e tyre!

#ZgjidhjaPërMedian