Partizani-Maribor në Europa League, trajneri Skënder Gega flet për shortin

Skënder Gega nuk është i kënaqur me shortin. Trajneri i Partizanit theksoi se sllovenët e Mariborit janë skuadra më e fortë e mundshme në krahasim me rivalët e tjerë që mund të “peshkonte” Partizani.

“Për mua është kundërshtari më i fortë i mundshëm. Gjithsesi, ne do t’ia bëjmë hyzmetin, duke u prezantuar sa më mirë. Do ta studiojmë Mariborin, duke filluar që nga miqësorja e fundit që luajti me Kukësin. Prioritet për ne është ndërtimi i një skuadre sa më të fortë për sezonin e ri, por do të tentojmë edhe një paraqitje dinjitoze në Europë. Pse jo kualifikimin”, deklaroi kreu i pankinës së kuqe.