Kamp refugjatësh në Shqipëri/ Si po mundohet Edi Rama ti gënjejë shqiptarët

Qeveria gjermane dhe kancelarja Angela Merkel është përfshirë në një nga krizat më të thella, që e rrezikojnë jo pak kryetaren e qeverisë federale.

Ashtu siç mund të mendohet, në qendër të grindjes me CSU është çështja e azilantëve.

Kancelarja Merkel ka marrë një ultimatum që për dy javë duhet të gjejë një zgjidhje që të kënaqë bavarezët.

Por ndërkohë, në sfond po shfaqet gjithmonë e më shumë mundësia e ngritjes së një kampi refugjatësh në një vend jashtë BE-së.

Si variant më i mundshëm shihet Shqipëria.

Televizioni publik gjerman, ZDF, i interesuar për këtë çështje, ka marrë një përgjigje interesante nga një zyrtar shqiptar.

Ai thotë se Shqipëria mund të përballojë një fluks prej 600 mijë emigrantësh.

Interesant është fakti se mediat gjermane dhe austriake thonë se ka negociata, por në Shqipëri qeveria hesht, edhe pse ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj po takon dy aktorë shumë të rëndësishëm si Komisionerin për Emigracionin dhe ministrin e Brendshëm gjerman, që i ka vendosur ultimatumin kancelares Merkel.

A është Shqipëria gati që të marrë përsipër këtë barrë për hir të negociatave?

A do pranojë vendi ynë mijëra refugjatë, në këmbim të ndihmës financiare?

Fakt është se në Shqipëri po na lënë në heshtje, teksa Brukseli, Gjermania dhe Austria po ziejnë.