Gafurr Mazreku ‘Qytetar Nderi’ i Hasit/ Deputeti demokrat: E vranë për herë të dytë Azemin

Dhënia e titullit ‘Qytetar Nderi’ i Hasit për Garfurr Mazrekun ka sjellë reagime të shumta. Deputeti i PD-së, Isuf Çelaj e ka cilësuar këtë akt si një vrasje të dytë për Azem Hajdarin.

Me anë të një statusi në Facebook, Çelaj i bën thirrje Edi Ramës dhe prefektit të Qarkut që të revokojnë menjëherë këtë vendim.

Ja postimi i Çelajt:

Sot Këshilli Bashkiak i Hasit, me votat vetëm të këshilltarëve socialistë, “vranë për herë të dytë” Heroin e Demokracisë, Azem Hajdari, duke shpallur qytetar nderi Gafurr Mazrekun i cili në vitin 1997 qëlloi me armë duke e plagosur rëndë tribunin e demokracisë, në tempullin më të lartë të saj. Edhe pse Partia Demokratike e denoncoi në kohë këtë vendim të turpshëm dhe provokues, të ideuar nga qeveria e cila tash e pesë vite me rradhë, ka qenë dhe është në simbiozë të plotë me krimin, tashmë jemi para një fakti të kryer që ky vendim është marrë.

Si deputet i Qarkut Kukës, i bëj thirrje Kryeminstrit të vendit dhe Prefektit të Qarkut Kukës, që më atributet që u jep ligji, të revokojnë mënjëherë këtë vendim të paprecedent, që njollos e fyen rëndë kujtimin e të ndjerit Azem Hajdari, familjarët e tij, të gjithë demokratët dhe patriotët e vërtetë shqiptarë. Kjo qeveri nuk u mjaftua me ministrat, zyrtarët, vëllezërit dhe kushërinjët kriminel, por kërkon të rilindë edhe kriminelet që historia dhe pjesa më e madhe e shqiptarëve i ka në memorie vetëm si të tillë.

Jam i sigurtë që populli i mençur dhe fisnik i Hasit dhe i gjithë qarkut të Kukësit do t'i përgjigjet ashtu siç ai din edhe këtij provokimi të ulët e meskin të rradhës të këtij narkoshteti.