‘Qeveria nuk ka lek për Teatër? Mos u besoni, janë mashtruese’

Nuk ndalen akuzat ndaj qeverisë së Edi Ramës dhe Bashkisë së Tiranës të drejtuar nga Erion Veliaj në lidhje me përpjekjet e tyre për të shembur Teatrin Kombëtar e më pas për ta dhënë tokën në përdorim.

Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili ka akuzuar sot Ramën e Veliajn se janë mashtruesa kur thonë se nuk kanë lek për të ndërtuar një Teatër të ri.

Vasili shkruan në Facebook se vetëm për portale pa asnjë funksion kjo qeveri ka haxhuar 100 milionë euro.

Ja çfarë shkruan Petrit Vasili në Facebook:

Kryeministri, që badërdisi mbi 100 milion euro me portale s'ka lekë për teatrin. Kriminale.

Kryeministri megjithë Bashki e Ministri bëjnë në mënyrë të pështirë viktimën sikur s'ka para', vetëm e vetëm që të grabisin tokën e Teatrit Kombëtar dhe ta shkatërrojnë atë.

Këta janë thjesht dhe vetëm kriminelë të artit dhe kulturës së Shqipërisë, pasi kërkund nuk është parë e dëgjuar që krenaria e artit të një vendi të trajtohen si armiq nga qeveria e tyre vetëm sepse mbrojnë artin.

Ne po përjetojmë tragjikisht inkuizicionin e binomit shkollëpakë dhe hajdutë, që po bie si sopatë mbi Teatrin Kombëtar dhe aktorët e shkëlqyer të tij.

Sa për paratë, po ju sjell vetëm fakte se ç'badërdi kanë bërë këta duke bërë lekët rrush e kumbulla me portale e dixhitalizimi koti.

E kanë pohuar vetë që kanë grirë mbi 100 milion euro për to dhe të gjithë e kuptojnë menjëherë që vetëm me to do kishim bërë nja 5 teatro kombëtare ultra moderne.

Dhe sot qajnë e lajnë se gjoja s'kanë para.

Janë mashtrues e kusarë dhe pikë.

Ja fakti i pohuar me gojën e tyre:

Në nëntor të 2016 Ministrja e Inovacionit Harito deklaronte përpara Komisionit Parlamentar te Ligjeve:

‘Vetëm për të pasur një ide për vlerën e kësaj, në tri vitet e kaluara për infrastrukturën dixhitale janë shpenzuar nga shteti shqiptar, dhe këtë e keni edhe te APP, nga institucionet e ndryshme, jo vetëm institucioni që drejtoj unë, janë investuar nga buxheti rreth 100 milionë euro’.