VIDEO/ ‘Show’ i Ronaldos, i vetëm frenon ‘furinë’ spanjolle

Në stadiumin “Fisht Olympic” të Sochi-t u luajt ndeshja e vlefshme për Grupin B të Botërorit “Rusi 2018” mes Portugalisë dhe Spanjës, shkruan Syri.net.

Dy ekipet pretendente barazuan 3-3, në një ndeshje spektakolare.

Që në minutën e tretë Cristiano Ronaldo pengohet brenda zone dhe gjyqtari italian Rochi akordon penallti.

Nga pika e bardhë CR7 gjuan vetë, duke kaluar Portugalinë në avantazh.

Spanja barazon në të 24’ me Diego Costën, i cili vepron i vetëm në zonën kundërshtare, gjuan saktë dhe 1-1.

Por është sërish Portugalia që kalon në avantazh. Ronaldo në minutën e 44-t me një gjuajtje jashtë zone, përfiton nga gabimi i De Geas dhe realizon golin e dytë, 2-1.

Me avantazhin 2-1 mbyllet pjesa e parë.

Në pjesën e dytë Spanja barazon. Është përsëri Diego Costa që e dërgon topin në rrjetën e portugezëve, 2-2.

Spanja përmbys në të 58’, ku ylli i Realit, Nacho, shënon një supergol.

Por mendon Ronaldo për Portugalinë. Goditje dënimi dhe CR7 ekzekuton mjeshtërisht, duke e dërguar topin në trekëndësh, për të barazuar 3-3.

Kaq mbyllet kjo sfidë, me dy ekipet që ndajnë nga një pikë.