VIDEO/ Zbardhet përleshja në Laç, sherr me leva e nxjerrje armësh

Një sherr me leva dhe armë ka ndodhur në Kurbin, ku falë ndërhyrjes së Policisë është bërë e mundur neutralizimi i palëve.

Në pranga është vënë Rudolf Lama, 22 vjeç.

Gjithashtu, u shpall në kërkim dhe punohet për kapjen e shtetasit S. T., 48 vjeç, banues në Kurbin për veprën penale ‘Plagosje e lehtë me dashje’.

Njoftimi i policisë për ngjarjen:

Në mesditën e datës 09.06.2018, shtetasi S. T., tek ish-Uzina në Laç,  është konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin D. Lama (vëllai i shtetasit Rudolf),ku e ka goditur me mjet të fortë (levë hekuri) duke i shkaktuar lëndime trupore,  i cili është dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë nën kujdesin e mjekëve.

Në momentin që shtetasi Rudolf Lama ka marrë vesh për konfliktin, ka marrë një armë zjarri pushkë model 63, me fishekë, dhe në gjaknxehtësi, ka shkuar tek fabrika e shtetasit S.T. ku e ka ofenduar dhe kërcënuar si dhe ka qëlluar disa herë me armën e zjarrit.

Falë vlerësimit në kohë të situatës dhe njoftimit për konfliktin, nga forcat policore të Komisariatit të Policisë Kurbin, është bërë e mundur ndërhyrja në kohë rekord duke arrestuar në flagrancë shtetasin Rudolf Lama dhe sekuestruar edhe armën e zjarrit pushkë me të cilën kishte kërcënuar dhe qëlluar.