Berisha: Ditë zie për sportin shqiptar, Fadil Vokrri mbylli sytë përgjithmonë

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka shprehur dhimbjen e tij të madhe e njëherësh, konsideratat më të larta për figurën e shquar të sportit shqiptar që ndërroi jetë papritur, Fadil Vokrrin. Ky është mesazhi i Berishës publikuar sot në rrjetet sociale:

"Ditë zie për sportin shqiptar! Fadil Vokrri, futbollisti legjendar, Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës mbylli sytë përgjithmonë!

Me këtë rast le të shprehim të dashur miq, dhimbjen dhe mirënjohjen tonë të thellë ndaj legjendës së futbollit kombëtar, i cili, dhe në kushtet e pushtimit barabar serb të Kosovës, me talentin e tij të rrallë dhe kulmet që arriti, u bë një emër i madh në futbollin e kohës dhe mbushi me krenari zemrat e mbarë shqiptarëve.

Duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij dhe autoriteteve të Kosovës për këtë humbje të madhe për sportin dhe mbarë kombin shqiptar, i lutem Zotit që shpirti i Fadil Vokrrit, futbollistit të pavdekshëm shqiptar të prehet në paqe!"