'Të ndihmova me lekë, më shkatërrove'! Zbulohen SMS-të e Xhaferr Matës për Xhuljeta Çunin para vrasjes

Viktimat e krimit të pasionit shënuar një ditë më parë në lagjen “Don Bosko”, në Tiranë, janë përcjellë për në banesën e fundit. Nga hetimet paraprake të policisë, rezulton se shkak i krimit kanë qenë marrëdhëniet e acaruara dhe refuzimi për t’u rilidhur që Xhuljeta Çuni i bënte Xhaferr Matës.

“Report Tv” ka zbardhur disa nga mesazhet e shkëmbyera së fundmi mes dy të rinjve. Një ditë para krimit Mata bënte përgjegjës Çunin, ku i shkruante: “Më detyrohesh shumë, prej teje shkatërrova familjen, lashë gruan dhe fëmijën, të kam ndihmuar dhe me para”.

E reja ka refuzuar t’i përgjigjet mesazheve të Matës, të cilin disa herë e kishte denoncuar në Komisariatin numër tre për kërcënim, përndjekje dhe mesazhet fyese. Por paçka shoqërimit nga policia, Mata kishte premtuar tek Inspektori i Rendit në zonë se nuk do t’i sillte më asnjë shqetësim 19-vjeçares Xhuljeta Çuni.

Policia e Shtetit ka marrë masa për të shmangur konfliktet mes dy familjeve, duke vendosur patrullime të shtuara në zonë dhe duke mbajtur në vëzhgim familjarët e dy familjeve.