Meta, i shokuar nga vdekja e Fadil Vokrrit: Një legjendë, sapo i kisha firmosur shtetësinë shqiptare

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka reaguar me dhimbje për vdekjen e Fadil Vokrrit, kreut të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe ka zbuluar një detaj të rëndësishëm: Vokrrit sapo i ishte dhënë shtetësia shqiptare.

"Ndarja e parakohshme nga jeta e legjendës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, - shkruan Meta, -  është një lajm shokues për të gjithë shqiptarët që e kanë ndjekur e adhuruar shkëlqimin e talentit të tij si sulmues e golashënues i Prishtinës, por edhe ekipeve të njohura europiane të Partizanit të Beogradit, Fenerbahçe e madje edhe të përfaqësueses së ish-Jugosllavisë.

Fadil Vokrri me talentin dhe suksesin e tij frymëzoi shumë fëmijë shqiptarë kudo për të ecur në shembullin e tij. Me personalitetin e tij ndërkombëtar ndihmoi integrimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA.

Pak ditë më parë pata kënaqesinë të firmosja dhënien e shtetësisë shqiptare për Fadil Vokrrin me kërkesë të F.SH.F për kontributin e tij të veçantë në mbështetje të futbollit tonë e sidomos ekipeve kombëtare.

Duke i shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të Fadil Vokrrit, Federatës së Futbollit të Kosovës, mbarë botës shqiptare të futbollit, jam i bindur se personaliteti i jashtëzakonshëm që ai krijoi në fushën e blertë do vazhdojë të frymëzojë gjeneratat më të reja në rrugën e suksesit!"