Qeveria jep 8 milionë euro për kompaninë koncesionare

Inceneratori i Tiranës nuk ekziston, pasi nuk është ndërtuar akoma, por ai ka filluar sakaq të incenerojë paratë e taksapaguesve shqiptare.  Përmes një vendimi të posaçëm në mblejdhjen e saj të fundit qeveria ka autorizuar Ministrinë e Infrastrukturës dhe atë të Ekonomisë që t'i japin Bashkisë së Tiranës para nga buxheti i shtetit, me qëllim që kjo e fundit të paguajë kompaninë koncesionare “Integrated Energy B.V". 

"Këshilli i Ministrave vendosi përdorimin e fondeve buxhetore të vitit 2018, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ekonomisë për financimin e Bashkisë Tiranë, për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga kontrata koncesionare nr. 6021 rep., nr. 2894 kol., datë 31.8.2017, “Për ndërtim landfill-i, inceneratori dhe rehabilitim i venddepozitimeve ekzistuese në Tiranë dhe prodhimin e energjisë," thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.

Në buxhetin e vitit 2018 qeveria ka akorduar 2.6 miliardë lekë ose mbi 22 milionë euro për Ministrinë e Infrastrukturës për programin e menaxhimit të mbetjeve urbane. Gati 40 për qind e kësaj shumë ose 8 milionë euro do të shkojnë për të paguar inceneratorin e Tiranës, i cili jo vetëm që nuk është në funksion, por as nuk është ndërtuar fare.  Pra qeveria është duke dhënë para për një shërbim, që nuk kryhet.

Biznesi i inceneratorëve

Qeveria ka miratuar tre kontrata koncesionare për ndërtimin e inceneratorëve në qytetet e Fierit, Elbasanit dhe atë të Tiranës me një vlerë investimi prej 178 milionë eurosh në total.

Dokumentet tregojnë se fituesit pa garë të këtyre koncesioneve janë një rrjet kompanish të lidhura me njëra tjetrën, por të regjistruara në parajsat fiskale.

Inceneratori i Elbasanit dhe ai i Fierit zotërohen respektivisht nga kompanitë Albtek Energy me pronare Stela Gugallja dhe Integrated Technology Ëaste Treatment Fier, ku 70 % e aksioneve zotërohen nga Klodian Zoto. Ndërkohë, 30 për qind e aksioneve të koncesionit me vlerë rreth 28 milionë euro iu shitën një kompanie lokale për 30 mijë lekë, vetëm një muaj pas themelimit të kompanisë koncesionare.