Pas Rita Orës në Shqipëri, Dua Lipa koncert në Kosovë! Ja të gjitha detajet dhe këngëtarët

Dua Lipa në Kosovë për festivalin më të madh “Sunny Hill”: Gjithçka rreth biletave, aktivitetet dhe artistët që do të performojnë në këtë ngjarje të madhe!

Sot (e premte) në Prishtinë është mbajtur një konferencë e hapur për media nga organizatorët e festivalit “Sunny Hill”.

Ky festival zhvillohet këtë vit në datat 10, 11 dhe 12 gusht 2018 në Parkun e Gërmisë, teksa ndryshe nga koncerti i dy viteve më parë, këtë vit është gjithë hapësira e Gërmisë në dispozicion.

Festivali “Sunny Hill” do të organizohet në hapësirat e Parkut të Gërmisë, në Prishtinë

Konferenca u drejtua nga Dukagjin Lipa, drejtor i “Sunny Hill”, Alban Kastrati, drejtues i marrëdhënieve me publikun dhe Visar Breznica, platforma e biletave online.

Logo zyrtare e festivalit “Sunny Hill”

Alban Kastrati ishte i pari që mori fjalën, duke thënë se ndjehen të kënaqur, se si bord që kanë arritur ta organizojnë edhe këtë vit një festival të tillë.

“Festivali ‘Sunny Hill’ ka për qëllim që të promovojë impaktin tonë kulturor, duke shkaktuar një jehonë ndërkombëtare. Këtë vit presim që shumë të rinj enkas për festivalin nga vendet tjera, si dhe të rinjtë e vendit tonë të kenë mundësinë të shijojnë artistët ndërkombëtarë në një koncert gjigant në vend”, tha Kastrati.

Në vazhdim foli edhe Dukagjin Lipa, duke shtjelluar planprogramin e këtij festivali mjaft të veçantë.

“Është kënaqësi me qenë këtu dhe të jap një lajm të tillë që ka qenë rrugë e gjatë derisa kemi arritur me i sjellë punët në këtë nivel për të pasur festival të tillë në Kosovë. Shpresoj që me festivalin dhe mundin që po e bëjmë, do të kemi mundësi që të ngrinim imazhin e Kosovës dhe pasi jemi në kryeqytet, besoj që do kemi mysafirë nga Evropa, që do të vizitojnë Prishtinën dhe shpresoj, që ata do të rrinë më shumë sesa festivali për të vizituar Kosovën”, ka thënë Dukagjin Lipa, njëherësh babai i artistes me famë ndërkombëtare, Dua Lipa.

Artistja Dua Lipa do të performojë në natën e parë të festivalit “Sunny Hill” më 10 gusht 2018, në Prishtinë

Kjo e fundit, do të performojë në natën e parë të festivalit, gjersa në skenë do të ngjiten edhe shumë artistë të tjerë.

“Dua performon në natën e parë të ‘Sunny Hill’. Po atë natë, në skenë ngjitet edhe Stanaj, një tjetër këngëtar shqiptaro-amerikan i suksesshëm, si dhe do të jenë disa artistë shqiptarë si: Ledri Vula, MC Kresha etj”, ka shtuar më tej Dukagjin Lipa.

Momente gjatë konferencës së organizatorëve të “Sunny Hill Festival”

Nata e dytë do të fillojë me Action Bronson, Cold Train dhe me këngëtarë lokalë, të cilët janë Ledri dhe Mc Kresha. Ndërsa nata e tretë do të ketë një DJ me famë botërore po që më 17 korrik do bëhet zyrtare për publikun dhe më pas SG Lewis dhe DJ Gamble nga Prishtina.

Ndërkohë, Visar Breznica tregoi për çmimin e biletave, të cilat këtë vit për lehtësimin e qytetarëve shiten ‘online’, kjo për ta pasur më të lehtë blerjen dhe hyrjen në festival.

“Çmimet do të jenë më të lira në krahasim me të gjitha festivalet e tjera. Kemi filluar me 35 euro dhe të gjithë muzikëdashësit i ftojmë të na ndjekin në rrjetet tona sociale për detajet tjera shtesë”, tha Visar Breznica.

I pyetur nga gazetari i Telegrafit për orarin dhe aktivitetet tjera, që ofron “Sunny Hill”, Lipa tha se festivali do të ofrojë argëtim përgjatë tri ditëve.

“Do të ketë aktivitete ditore dhe besoj që do jemi të hapur që nga ora 10 -11 e ditës dhe shpresoj që njerëzit të vijnë për t’i shijuar aktivitetet ditore. Artistët BIG performojnë në mbrëmje dikur nga ora 22:30-23:00, teksa koncerti fillon diku nga ora 17:00 me talentët e rinj”, ka përfunduar Lipa.

Sunny Hill pa dyshim është festivali më i madh shqiptar. Ky festival me nivele ndërkombëtare pritet shpejt të nxisë atraksion turistik dhe ta bëjë Prishtinën top destinacion të adhuruesve të muzikës./Telegrafi