Propozimi i ndyrë i Ramës për ‘300 kamikazë të fjetur’ dhe 3 milionë sirianë të zgjuar

Loja e Ramës me Evropën, që te pranojë të papranueshmen, në mënyrë që të kalojë ngërçin e pakalueshem të negociatave duhet të shërbejë për diçka të mirë. “Propozimi i ndyre” i Ramës për kampin e ish-rekrutëve te ISIS-it në Shqipëri s’ka asnjë gjasë të pranohet. Jo vetëm se Evropa ia di këllqet Shqipërisë, por edhe se i madh e i vogël këtu tek ne, i di standardet e brishta të sigurisë. Kanabizimi ka rrënuar çfarëdolloj kredibiliteti në institucionet tona, saqë edhe në gjetshim një konsensus-pazar, asnjë mundësi s’ka që çfarëdolloj kampi-karikaturë të mbijetojë qoftë edhe dy ditë të vetme si i tillë.

Por budallallëku malinj i propozimit të Edi Ramës s’duhet të na shtyjë të fshihemi pas gishtit dhe të deklarohemi prerë se çështja e rekrutëve të ISIS s’na përket. Fatkeqësisht statistikat flasin për rreth 1 mijë shqiptarë (nga të gjitha trojet), gjysma prej tyre luftëtarë e të tjerët gra e fëmijë, që shkuan në Siri (e Irak) dhe shumica prej tyre mbetën gjallë nga konflikti dhe një pjesë janë kthyer. Janë kthyer dhe janë lënë pa kontroll.

Paralajmërimet e shërbimeve të huaja mbi “kamikazët e fjetur” s’duhet të na lënë indiferentë. Ai rrezik nuk dihet se kur shpërthen dhe prej vitesh zërat që kërkojnë kontrollin e procesit të rehabilitimit të këtyre “të kthyerve” kanë rënë në vesh të shurdhër.

PO ngritjes së një kampi që do mbikëqyrë këtë kategori shqiptarësh. Është një përgjegjësi e drejtpërdrejtë e shtetit shqiptar dhe deklarimet se i mbikëqyrim “nga larg” janë përralla. Ngritja e këtij kampi s’ka e s’duhet të ketë asnjë lidhje me pazaret e ndyra që narkokryeministri po përpiqet te bëjë në Evropë, duke folur për ISIS e duke pranuar për Shqipërinë 2,5 milionëshe një kamp refugjatësh me mbi 3 milionë banorë.

PO edhe instalimit aty të të kthyerve shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia, pasi fenomeni i “foreign fighters” na goditi si komb dhe duhet përballuar në këtë përmasë.

JO martesës së këtij problemi mbarëkombëtar me negociatat...e ç’është më e keqja, JO shkëmbimit të këtij problemi me ngritjen e fushimit të 3 milionë refugjatëve sirianë në Shqipëri.

S’është as ksenofobi e asfare qëndrim antieuropeist. Nëse duam një shenjë të vullnetit të mirë, PO pranimit të një numri proporcional refugjatësh, sikur Shqipëria të ishte anëtari i 29-të i BE. Le të jemi pararojë e harmonizimit të politikave tona me ato të Unionit, edhe me kosto financiare në daltë nevoja.

Por, për hatër të Zotit, të mos i lëmë “kamikazët tanë të fjetur” jashtë kontrollit, pse Edi Ramës i është tekur të bëjë tregti me ta e t’i shkëmbejë me 3 milionë refugjatë sirianë - të zgjuar e të uritur për të qëndruar pranë kufijve të BE-se.