Pazari për ‘TCH’/ Pas fotos edhe video komprometuese e Ben Blushit

Një takim prej 1 orë e gjysmë ndërmjet drejtorit të “Top-Channel” Ben Blushi dhe gjykatësit Ardian Dvorani, ka kompromentuar gjyqin për pronësinë e televizionit, ndërsa çështja po shqyrtohet në Gjykatën e Lartë.

Pamjet e takimit janë siguruar ekskluzivisht nga Hashtag.al, ndërsa një kërkesë e depozituar nga palët në gjyq, zbulon dhe fabulën.

Le t’a shpjegojmë nga fillimi.

Më datën 25 Maj, Dhoma e Këshillimit në Gjykatën e Lartë do shqyrtonte në parim trajtimin e çështjes për pronësinë e Top Channel (Vjollca Hoxha & fëmijët, vs. Aurel Baci, Albert Sino).

Trupa gjyqësore ishte e përbërë nga gjyqtarët Artan Broci, Shkëlzen Selimi dhe Medi Bici.

Gjyqtari Medi Bici dha dorëheqjen më herët nga çështja në rrethana të paqarta, ai dyshohet se mund të ketë qenë nën presion.

Datën e seancës, më 25 Maj, në seancë është paraqitur gjyqtari Ardian Dvorani, ndërsa pala kundërshtare me Vjollca Hoxhën në gjyq, pretendon se Dvorani ka kërkuar të imponojë prezencën e tij në gjyq, sepse ai nuk ishte shortuar dhe nuk ishte zgjedhur me procedurë anëtar i trupës, për zëvendësimin e Medi Bicit.

Ardian Dvorani është një anëtar i Gjykatës së Lartë, me mandat zyrtar të përfunduar, ndonëse ka mundur të gjejë shtigjet për të qëndruar provizorisht në këtë gjykatë.

Mësohet se kjo seancë e datës 25 Maj është ndërprerë, pasi gjyqtari Shkëlzen Selimi ka kërkuar kohë të njihej me aktet e dosjes.

Por ndërsa gjyqtari Dvorani ka tentuar më datën 25 Maj të imponohet si pjesë e trupës gjykuese, filmimet e datës 24 Maj (vetëm një ditë para seancës), e kanë fiksuar atë në një takim të përzemërt në Bar ‘Panevino” (Hotel Plazza), me drejtorin aktual të Top Channel, Ben Blushi.

Ky takim i Blushit, i cili është emëruar nga pronarja ekzistuese Vjollca Hoxha, kompromenton automatikisht gjykatësin, sidomos në kontekstin e tentativës së tij për t’u imponuar si anëtar i trupës gjykuese një ditë më vonë.

Nga ana tjetër filmimi e paraqet Ben Blushin si një protagonist në rolin e sekserit të dyshuar dhe të njeriut që ka marrë përsipër kapjen ose shantazhimin e gjykatësve.

Vetëm dy javë më parë, Top Channel nisi një fushatë të egër ndaj gjykatësit Artan Zeneli, sulmi ndaj Zenelit dyshohet se ishte një intimidim i tërthortë ndaj gjyqtarit të dorëhequr Medi Bici. 

Pikërisht Medi Bicin synoi të zëvendësonte pa short gjyqtari Ardian Dvorani, 24 orë pasi ishte takuar me  Ben Blushin, drejtorin e Top-Channel.

Fushata e Blushit në Top-Channel vijoi dhe dje me një kronikë intimiduese ndaj gjyqtarit Shkëlzen Selimi.

Në mënyrë të paprecedent Top-Channel ka nisur fushatën e kulaçit dhe kërbaçit ndaj gjyqtarëve të lidhur me gjyqin e pronësisë, ndërsa Ben Blushi herë shfaqet në TV si inkuizitor i gjyqtarëve, por ndodh dhe që shfaqet në kamerat e sigurisë të ndonjë lokali si sekser i dyshuar, duke synuar ujdi të fshehta me ta.

/Hashtag.al/