Ndoka deklaratë ‘bombë’ në Syri.net: Tahiri ka përgjime të Ramës dhe ambasadorëve, nëse ai flet rrëzohet sistemi

I ftuar në studion e lajmeve të Syri.net, kreu i PDK-së, Nard Ndoka ka deklaruar se ish-ministri i brendshëm Saimir Tahiri, ka përgjuar ministrat dhe kryeministrin dhe tani po u bën shantazh.

Sipas tij Rama nuk e fut në burg Tahirin nga frika se ky i fundit do të spiunojë dhe më pas do të rrëzoheshin të gjithë.

Ndoka theksoi gjithashtu se Tahiri ka përgjime që vërtetojnë se kjo mazhorancë ka blerë ambasadorë.

‘Rama nuk ka hall të mbajë pushtetin, por ka frikë, nga njëra anë Tahirin, i cili ka përgjuar ministrat dhe kryeministrin dhe ai po u bën shantazh. Tahiri ka deklaruar se ka ambasadorë që i ka blerë kjo mazhorancë. Tahiri po shantazhon këdo sepse i ka përgjuar dhe i ka filmuar dhe lidhja shkon deri tek kryeministri. Prandaj loja është shumë e rrezikshme tek kjo mazhorancë. Kjo është frika që ka kryeministri sepse ky ka operuar edhe me njerëz pa integritet. Po përpiqet me të gjitha mënyrat që ta mbajë Tahirin larg burgut, sepse ka frikë që ai do të tregojë’, tha Ndoka.