KE: Shqipëria po mbyt Europën me mallra të falsifikuar kontrabandë

Shqipëria është një ndër 4 vendet që furnizojnë me mallra të falsifikuar kontrabandë Bashkimin Europian, dhe një ndër 2 vendet e vetme europiane në këtë listë. Këtë e thotë vetë Komisioni Europian në një raport të fundit në lidhje me këtë çështje. Tre vendet e tjera janë: Maroku, Egjipti dhe Ukraina, raporton Scan.

Ky është raporti i radhës që arrin në këtë përfundim. Një tjetër raport i publikuar më herët nga Komisioni Europian dhe Europol arrinte në përfundimin se,  Shqipëria jo vetëm që është një ndër pikat kryesore të tranzitit të mallrave kontrabandë drejt Europës por edhe një ndër vendet që furnizon më së shumti tregun vendas me këto lloj produktesh.

Turqia rezulton të jetë furnizuesi numër një i Shqipërisë dhe aleati i saj kryesor në këtë tregti të paligjshme dhe të pandershme. Ky lloj biznesi i paligjshëm përkthehet në miliarda euro në vit, një pjesë të rëndësishme të së cilës e zë edhe vendi ynë. Pozita mjaft e favorshme gjeopolitike mes Lindjes dhe Perëndimit, dhe sidomos prania e porteve detare që shërbejnë për të transportuar drejtpërdrejtë mallrat drejt Bashkimit Europian nxisin Shqipërinë që të bëhet pjesë e këtij fenomeni.