‘Dorëhiqet’ Rama/ Senida Mesi ‘kryeministre’ me të drejtë firme

Kryeministri Edi Rama duket se ka braktisur përfundimisht zyrën e tij dhe mbledhjet e Këshillit të Ministrave.

Thuajse çdo mbledhje drejtohet nga zëvendëskryeministrja Senida Mesi, pasi vetë kreu i qeverisë ia ka atribuuar asaj këtë të drejtë, duke i dorëzuar vulën dhe lejuar që Mesi të firmosë në “emër” të Ramës.

“Këshilli I Ministrave vendosi miratimin e 500 (pesëqind) punonjësve me kontratë të përkohshme për sezonin e verës 2018 në Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, për vendet e punës të përcaktuara”-thuhet në VKM-në e sotme.

Në fund të vendimit, është e shkruar: “KRYEMINISTRI EDI RAMA, Në mungesë dhe me porosi, ZËVENDËSKRYEMINISTRI SENIDA MESI”. Ky autorizim është lëshuar vetëm një muaj pas krijimit të qeverisë “Rama 2” dhe në pjesën më të madhe të mbledhjeve të Këshillit të Ministrave Rama nuk ka marrë pjesë, duke ia besuar detyrën zëvendëses së tij Senida Mesi, ndonëse shqiptarët votëbesuan Ramën që t’i qeveriste.

Zyrtarisht njihet delegimi i pushtetit, por fare rrallë përdoret dhe vendimet e deleguara merren nga zëvendësministra, zëvendësdrejtorë dhe funksionarë të tjerë, vetëm në rastet kur kryetari mungon për një kohë të gjatë për arsye shëndetësore ose gjendet jashtë vendit në vizitë zyrtare. Për të kuptuar që Rama ia ka deleguar pushtetin kryeministror Senida Mesit, mjafton të shihen VKM-të e fundit të qeverisë.

 Në të gjitha vendimet e marra në fund të tyre thuhet: “KRYEMINISTRI EDI RAMA, Në mungesë dhe me porosi, ZËVENDËSKRYEMINISTRI SENIDA MESI”.

Në administratën e lartë publike janë ta rralla autorizime të tilla. Kjo formë i ngjan metodës së ndjekur nga shumë ish-kryetarë komunash në vend, ku pasi zgjidheshin, autorizonin nëpërmjet një prokure ligjore dhe administrative, zëvendësin e tij dhe më pas fare rrallë dukeshin në zyrë.

E njëjta situatë është edhe me kreun e qeverisë që në të shumtën e kohës ndodhet jashtë vendit, ndërsa kur gjendet në Shqipëri nuk preferon të jetë në zyrën e tij, por vijon turin e propagandës qeveritare në takime të përzgjedhura me ‘regjinë’ e tij me qytetarë apo drejtues të lartë të administratës shtetërore. Pushtetin ia ka deleguar zëvendëskryeministres dhe në këtë mënyrë po na qeveris Mesi…

/Boldnews.al