A po gënjen ambasadori Italian, për të mbrojtur Agron Xhafajn

Ambasadori Italian Cutillio nuk ka folur asnjëherë për drogën dhe për krimin në Shqipëri edhe pse vendi i tij ndikohet direkt prej tyre duke qenë se Italia është destinacioni kryesor i trafikut të drogës. Edhe pse Saimir Tahiri është nën hetim në Catania për bashkëpunim me një organizatë italo-shqiptare të trafikut të drogës, Ambasadori ka preferuar të mos bëjë asnjë koment publik.

Por ditët e fundit ai është bërë shumë aktiv në deklarata publike, më e fundit prej të cilave ekskluzivisht për çështjen e Agron Xhafajt, edhe pse është pak e çuditshme që në pozicionin e Ambasadorit ai mund të flasë në emër të institucioneve të drejtësisë italiane duke dhënë detaje shumë specifike të një çështjeje konkrete.

Në një intervistë për Klan, Ambasadori pohoi se:

 “Personi është dorëzuar vullnetarisht në Policinë Kufitare të Fiumicinos dhe është transferuar në burgun e Civitavecchia pranë Romës, ku do të vuajë dënimin. Pak a shumë dënimi ishte 4 vjet e dy muaj. Pasi vuajti një muaj, në kohën kur u arrestua mbeten edhe 4 vjet e 28 ditë. Në të tilla raste nëse i burgosuri bën kërkesë mund të lirohet shumë më herët se kjo datë. Nuk e di si do të zhvillohet çështja, por me shumë mundësi periudha që duhet të kalojë në burgim do të jetë shumë më e shkurtër.”

Duhet vënë re që Ambasadori thekson se dorëzimi i Xhafajt ka qenë “vullnetar”—por, në fakt, Xhafaj u dorëzua pas sulmeve të PD-së ndoshta për t’i shpëtuar hetimit në Shqipëri dhe për të shpëtuar karrierën e të vëllait—Ambasadori keqinformon me pjesën tjetër të dënimit. Por ajo që është më e rëndësishme është Ambasadori Italian lë të nënkuptohet në mënyrë keqinformuese se Xhafaj është dënuar më pak se sa është akuzuar nga opozita, pra 4 vjet e dy muaj dhe jo 7 vjet e dy muaj.

Në fakt, Ambasadori qëllimisht apo jo lë të ngatërrohet periudhën që duhet të kalojë në burg pas zbritjeve të caktuara me masën e dënimit nga gjykata. Agron Xhafaj është dënuar më 12 tetor 2008 nga Gjykata e Shkallës së Parë të Leçes me 7 vjet e dy muaj burg, për “pjesëmarrje në organizatë kriminale”dhe “trafikim ndërkombëtar të lëndëve narkotike”. Ky vendim është lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit e Leçes me një vendim të datës 25 janar 2011 dhe më pas nga Gjykata e Kasacionit e Leçes me vendimin numër 2232 të datës 25 shtator 2012.

Pas dënimit në llogaritjen e periudhës së dënimit Agron Xhafaj ka përfituar një zbritje prej tre vjetësh dhe urdhëri pëfundimtar i vuajtjes së dënimit të tij ka parashikuar 4 vjet e dy muaj. Pra, Xhafaj është dënuar me 7 vjet e dy muaj por për shkak të përfitimeve të caktuara i duhej të vuante vetëm 4 vjet e dy muaj.

Akoma më keq, Ambasadori ka ndjerë të nevojshme që të paralajmërojë se Agron Xhafaj do të lirohet më shpejt se periudha katër vjeçare edhe pse kjo gjë është çështje ende e pavendosur nga organet ligjzbatuese italiane. Çuditërisht Ambasadori harron të thotë nëse fakti që Agron Xhafaj i ka bërë bisht drejtësisë italiane për gati 6 vjet, duke qenë i arratisur prej saj, mund të ketë ndonjë pasojë për Xhafajn.

Por gënjeshtrën më të madhe Ambasadori e rezervoi në një pjesë tjetër të deklaratës së tij për Klan:

 “Personi është dënuar në Itali, por sipas rregullave të brendshme italiane, kur dënimi nuk kalon një masë të caktuar nuk kërkohet ekstradim, sepse impenjimi për këtë kërkesë është shumë më i madh se mundësia që të vuhet një dënim kaq i shkurtër. Kemi mijëra raste të tillë dhe ky nuk është një përjashtim. Dënimet me pak se 3 vjet nuk vuhen në burg nëse nuk ka përsëritje të krimit. Ndërsa për ato mbi 4 vjet shkohet në shërbime sociale, gjithsesi nuk shkohet në burg. Dënimet që nuk e kalojnë këtë masë nuk konsiderohen mjaftueshëm të rënda për të justifikuar procedurën e ekstradimit”

Nuk dihet se çfarë rregullave të brendshme ju referohet Ambasadori, por ky pretendim i tij është tërësisht i pavërtetë.

Është fakt se anëtarët e tjerë shqiptarë të bandës së Agron Xhafajt në Itali, që kanë marrë të njëjtin dënim për të njëjtin aktivitet kriminal dhe të njëjtin përfitim uljeje dënimi si Agron Xhafaj në fakt janë futur në listën e kërkimit ndërkombëtar nga Italia, duke e lënë Agron Xhafajn të vetmin përjashtim.

Kështu për ilustrim Gramos Murataj, anëtar i së njëjtës bandë, i kapur në të njëjtin operacion ndërkombëtar me Xhafajn i hetuar për të njëjtat krime dhe i dënuar me të njëjtin dënim si Xhafaj ka qenë dhe është ende në kërkim ndërkombëtar nga Italia. Murataj është dënuar me 7 vjet e 6 muaj burgim, ka fituar ulje me 3 tre vjet të dënimit dhe i kishte mbetur 4 vjet e gjashtë muaj për t’u kryer.

Zyrës së Ekzekutimit të Prokurorisë së Republikës pranë Gjykatës së Leces, e cila sipas ligjit Italian është përgjegjëse për zbatimin e vendimeve të gjykatave, ka lëshuar më datë 07.02.2009 urdhër ndërkombëtar arresti për Muratajn në lidhje me vendimin e dënimit të tij Nr. SIEP 273/2008.

Në bazë të këtij urdhëri Murataj është arrestuar më 17 prill 2013 dhe prokuroria shqiptare ka filluar procedurën e ekstradimit të tij. Gjykata e Vlorës ka miratuar kërkesën e ekstradimit me vendimin e saj Nr. 271 të datë 13 qershor 2013, vendim i cili është lënë në fuqi nga Gjyakata e Apelit e Vlorës me vendimin Nr. 70 të datës 09 korrik 2013. Por ka qenë Gjykata e Lartë e Shqipërisë e cila ka rrëzuar këto vendime dhe nuk ka lejuar ekstradimin e Gramos Muratajt me vendimin e saj Nr. 18 të datës 21 janar 2014.

Mjafton ky rast për të hedhur poshtë deklarimin e Ambasadorit Cutillio. Por për një koencidencë ironike, ditën që Ambasadori bëri këtë deklaratë të rreme ai është përgënjeshtruar nga një tjetër rast ekstradimi me kërkesë të drejtësisë italiane.

Pra pak ditësh, më 26 maj policia bullgare arrestoi një shtetas shqiptar me kërkesë të drejtësisë italiane i cili ishte dënuar në Itali me 2 vjet burg për armëmbajtje pa leje dhe 6 muaj të tjera burg për rrahje dhe kanosje. Edhe pse këto akuza dhe periudha e dënimit të tij janë shumë më të lehta se sa ato të Agron Xhafajt, drejtësia italiane ka lëshuar urdhër ekstradimi dhe ka ekzekutuar procedurat e ekstradimit ndryshe nga pretendimet e Ambasadorit Cuttillio.

Motivimi i Ambasadorit Cuttillio për pohimet e tij të rrema në lidhje me Agron Xhafajn mund të hamendësohen, por ato janë të dëmshme për vetë drejtësinë italiane pasi nxisin shtetasit shqiptarë të dënuar atje që t’i ikin drejtësisë dhe të vinë në Shqipëri dhe atyre që tashmë kanë ikur dhe janë në Shqipëri që të mos kthehen në Itali për të vuajtur dënimet.

Duhet theksuar se Ambasadori Cuttillio ka qenë i përfshirë në mbrojtjen e Saimir Tahirit në lidhje me skandalin e futjes dhe përdorimit të pajisjes IMSI Catcher. Ambasadori ka justifikuar futjen e pajisjes në Shqipëri si mjet trajnimi, por nuk ka pranuar që ta dorëzojë pajisjen në prokurorinë shqiptare për hetimin e përdorimit të saj. Edhe sot pas 2 vjetësh pajisja mbahet e bllokuar prej tij në Ambasadën Italiane në Tiranë, pasi nuk mund të transportohet për në Itali duke qenë se prokuroria shqiptare ka nxjerrë urdhër për sekuestrimin e saj.

/Exit.al