Kjo është kombëtarja e parë që mbërrin të Rusi 8 ditë para Kupës së Botës

Përfaqësuesja e Iranit është e para që shkeli në tokën ruse për kampionatin Botëror të këtij viti që do të nisë pas 8 ditësh.

Skuadra e drejtuar nga Carlos Queiroz e mbylli shpejt fazën përgatitore për këtë eveniment që parashikonte edhe zhvillimin e ndeshjeve miqësore për të zbritur në Moskë në mbrëmjen e së martës në orën 20:26 sipas orës lokale gjë që u konfirmua nga Federata Ndërkombëtare e Futbollit nëpërmjet faqes së saj zyrtare të internetit.

Irani është në Grupin B së bashku me Spanjën, Marokun e Portugalinë.

Debutimin në Botëror, skuadra iraniane do ta bëjë në 15 qershor me sfidën ndaj Marokut.

Për Iranin kjo është hera e pestë që merr pjesë në Kupën e Botës, më parë skuadra iraniane ka qenë pjesëmarrëse në Botërorët e 1978, 1998, 2006 dhe 2014.