Dënohet me burg ish-presidenti i Dinamos së Zagrebit, Luka Modric dëshmoi në gjyq

Ish-presidenti i Dinamos së Zagrebit në Kroaci, Zdravko Mamic, vëllai i tij Zoran Mamic, ish-drejtori sportiv Damir Vrbanovic dhe zyrtari i autoritetit fiskal të vendit ballkanik, Milan Pernar, janë shpallur fajtorë gjatë kësaj të mërkure për vjedhjen e rreth 116 milion kunave nga klubi (rreth 16 milion euro), duke i shkaktuar një dëm prej 12.2 milion kunash buxhetit të shtetit (rreth 1.6 milion euro), e të katërt janë dënuar me burgim.

Mamic personalisht është dënuar me 6 vite e gjysmë burgim. Sipas vendimit të lexuar nga kreu i Këshillit Gjyqësor, Darko Kruslin, Mamic është shpallur fajtor për të gjitha akuzat e ngritura mbi të.

Milan Pernar dhe Zoran Mamic u shpallën të pafajshëm për një nga akuzat, por rezultuan fajtorë për rolin e uljes së detyrimeve fiskale të Mamicit, apo për marrje e dhënie ryshfeti.

Zdravko, Zoran dhe Vrbanovic janë fajësuar gjithashtu për vjedhje të parave nga transferimi i Dejan Lovren, ndërsa vetëm Zdravko ka vjedhur parà nga transferimi i Luka Modric.

Ylli i Real Madridit disa herë është pyetur në gjykatë për këtë çështje, teksa rrezikonte edhe ai të dënohej.

Për këto akuza, Pernar është dënuar me 4 vite e dy muaj; Zoran për 4 vite e 11 muaj, ndërsa Vrbanoviç me 3 vite burgim.

Asnjë prej të pandehurve nuk ishin të pranishëm në gjykatë kur u dha vendimi. Por, ajo që bën çudi është se Zdravko Mamic njoftoi ditën e djeshme, një ditë para marrjes së vendimit, se ndodhej në Medjugorje të Bosnje-Hercegovinës, edhe pse deklaroi se nuk po iu shmangej autoriteteve.