A ka shpresë Liverpooli të përsëritet finalja e Championsit pas diagnozës së Karius?

Portieri i Liverpoolit, Loris Karius, ishte përgjegjës kryesor për humbjen e finales së Ligës së Kampioneve ndaj Realit.

24-vjeçari bëri dy gabime të tmerrshme, që i kushtuan shtrenjtë ekipit të tij.

Por pas ndeshjes u spekulua se shkak për paraqitjen e dobët të tij u bë një goditje që mori nga mbrojtësi spanjoll Sergio Ramos. Ky i fundit ia ‘doli’ të nxjerrë jashtë loje edhe Mohamed Salah.

Historia e Karius është rikthyer në qendër të vëmendjes për shkak se ai ka bërë një vizitë tek një prej specialistëve më të mirë të goditjeve në tru.

Dr. Ross Zafonte i universitetit të Harvardit në SHBA e ka vizituar portierin dhe ka arritur në përfundimin se gafat e tij mund të kenë ardhur për shkak të tronditjes në tru.

Por çfarë mund të ndodhë pas kësaj diagnoze? “Bild” u përgjigjet disa prej pyetjeve më të rëndësishme:

A mund të përsëritet ndeshja?

Jo. Rregullorja parashikon se ndeshja përsëritet nëse ka pasur shkelje flagrante të rregullave nga gjyqtarët. Nëse UEFA nuk heton, atëherë ekipi duhet të ngrejë një padi brenda 48 orësh. Ekipi anglez nuk e ka bërë diçka të tillë.

A mund të ndëshkohet Ramos?

Arbitri nuk e ka parë vetë skenën. Vetë UEFA thuhet se e ka analizuar skenën dhe ka arritur në përfundimin se nuk duhet të ketë ndonjë ndëshkim. Ndaj Ramos nuk ka pse të ketë frikë.

Përse u diagnostikua tani Karius dhe përse e bëri kontrollin në SHBA?

Pas ndeshjes, fillimisht Karius fluturoi drejt shtëpisë së tij në Gjermani. Më pas u nis drejt Kalifornisë në SHBA. Drejtuesit e ekipit i thanë që të bënte kontrollin në Boston. Kjo për shkak se ai kishte nisur të kishte marrje mendsh dhe dobësi.

A mund të ketë shkaktuar pasoja të forta ajo goditje?

Eksperti i njohur, Michael Ehnert, thotë se ishte e dukshme që pas përplasjes me Ramos, Karius nisi të kishte probleme. Ai nuk koordinohej mirë në fushë. Ai u godit në atë pjesë të trurit, që është përgjegjëse për përpunimin e informacionit.

Përse nuk e zëvendësuan portierin?

Problemi është se në këtë rast, edhe nëse ka pasur probleme, do ishte e vështirë që t’ dallonte. Neurologu Peter Paul Urban thotë: “Mund të ndodhë që pas një dëmtimi të tillë, siç i ka ndodhur portierit, të vuash nga probleme të përkohshme të trurit, të cilat fillimisht nuk i vë re. Bëhet fjalë kryesisht për humbje të përkohshme të përqendrimit”.