Hummels vendos se kur do të largohet nga Kombëtarja gjermane

Mats Hummels ka hedhur poshtë zërat se Kupa e Botës 2018 do të jetë turneu i fundit madhor si futbollist i Gjermanisë.

Qendërmbrojtësi 29-vjeçar i Bayern Munich mendon se ai mund të luajë edhe në Euro 2020, kësisoj veprimtaria në Rusi nuk do të mbyllet me lamtumirën e tij nga futbolli ndërkombëtar.

“Unë nuk besoj se Kupa e Botës do të jetë turneu im i fundit. Nëse trajneri do të më ketë në planet e tij do të luaja me kënaqësi edhe në Euro 2020 sepse do të jem 31 vjeç dhe do të kem energji për të bërë një punë të mirë”, deklaroi Hummels.

Gjithsesi, ai tha se nuk pret që të luajë edhe një Botëror tjetër, atë në Katar, në vitin 2022.

“Do të jem thuajse 34 vjeç kur të fillojë Kupa e Botës në Katar. Me idenë që kam tani, do ta kem mbyllur aventurën me kombëtaren, edhe nëse kjo veprimtari do të zhvillohet në dimër”, theksoi mbrojtësi i Bayern Munchen.