Foto Strakosha e thotë me krenari për të birin: Thomas është më i mirë se unë

Foto Strakosha, ish-gardiani i portës kuqezi, tashmë krenar për të birin Thomas që po shkëlqen te Lacio, rrëfehet në një intervistë për Hygerta Sakon në Rtsh Sport, për rrugëtimin e djalit të tij, marrëdhëniet, por edhe njerëzit që kanë lënë shenjë te karriera e tij.

Si ndjeheni për Thomasin?

Në radhë të parë, si prind, përkufizimi më i saktë është që çdo prind ndihet krenar, pastaj kënaqësia është e madhe sepse bën profesionin tim. E bën mirë, por duhet akoma edhe më mirë. Jam bindur që i vogël që e ka me pasion, dhe kam kënaqësi që e bën me dashuri.

E kishit menduar që do shkonte kaq lart?

Kur ishte i vogël, isha i kundërt me dëshirën e tij, nuk doja të bëhej portier. Mirëpo, kur shkoi 15 vjeç, ishim në Qipro, aty më dha shenjat e para, ku tregonte se sa i gatshëm ishte për të sakrifikuar në pozicionin e portierit. Në atë moshë, kam parë edhe të dhënat që përveç karakterit, ishin edhe për portierin. Më vonë ëndërrova dhe besoja se mund të ecte.

Sa ndërhyn tek zgjedhjet e tij?

Ai vetë duhet të vendosë. Që 16 vjeç, kur kishim oferta edhe nga Lazio dhe nga Roma, i ndikuar si prind nga Lazio, meqë ishte edhe Igli, kam një njeri për fëmijën tim aty. Por, të fundit kam pyetur Tomin, ku donte të shkonte. Ishte dëshira e tij. Dua të jemi të dy të ndërgjegjshëm për zgjedhjet që do bëjmë. Unë do i jap këshilla, por vendos ai.

Momenti që keni gëzuar më shumë?

Jeta e një futbollisti është e mbushur me trishtime dhe gëzime. Të vetmen gjë që kam dashur ta transmetoj të transmetoj tek ai, është se edhe gëzimi edhe trishtimi, të jenë në masa të duhura. Vetëkënaqësia te gëzimi, është po i njëjti armik si trishtimi i tepruar kur diçka nuk shkon mirë. Kur Juvja luante me Lazion, ku Lazio fitoi 1-2, një moment në pjesën e parë, i kthyen topin prapa, dhe Higuain i bëri presion. Topi u përplas te këmba e Higuain, dhe më pas në shtyllë. Aty më kanë ikur 10 vjet jetë. Po në të njëjtën ndeshje, në minutën e 96-të, ai priti penalltinë. Por jo vetëm për këtë, sepse për një portier do i ketë edhe këto raste, por Lazio mori një fitore të çmuar, pas 15 vjetësh në atë stadium.

Çfarë ka më të mirë se ju Thomas, dhe çfarë i mungon?

Ka shumë gjëra më mirë se unë, sepse edhe unë kam pasur shumë vështirësi. Edhe dorezat i kishim si të minatorëve. Nga ana teknike ka shumë gjëra më të mira. Çfarë do doja unë që të përmirësonte, njëra është në aspektin teknik, e cila vjen me përvojën por edhe me besimin në vetvete, është dalja nga porta, apo në krosime. Te personaliteti kam edhe pak debat me të, unë kam qenë më emocional, ndërsa Tomi transmeton që është i ftohtë. Armë shumë pozitive për portierin. E pranoj, se është më i mirë se unë.

Si ndjehesh për Taren këtu te Lazio?

Kjo është e ndarë në 2 aspekte, të gjithë janë dakord me arritjet e tij këtu. I ka bërë krenar të gjithë shqiptarët. Marrëdhënia jonë është e ndarë në 2 etapa. Kur të qenurit larg, Tomi kishte rreth 5 vjet vetëm këtu, dhe unë e mendoja mirë para se ta merrja në telefon, sepse vija veten time në pozicionin e tij. Edhe pse bëhet fjalë për fëmijën tim, kam qenë edhe unë trajner, e di sa e vështirë është të qenurit pjesë e stafit. Shumë njerëz thonë se Igli do e ndihmojë. Tomi bëhej krenar, dhe thoshte se arrita të kënaq prindërit e mi. Ishte një plus që kishte Iglin te Lazio, por është edhe një përgjegjësi më tepër, sepse të tjerët edhe mund ta gjykonin, se e ka sjellë drejtori.